Maqedonia eksporton gru, ndërsa importon miell


Prej 11 deri 11,5 denarë për një kilogram është çmimi blerës i grurit, por sasitë kryesisht eksportohen në Greqi dhe Shqipëri, thonë prodhuesit. Ndërkohë, përpunuesit importojnë miell serb sepse, sipas tyre, logjika e tregut është – çmimi më i mirë për cilësi më të mirë.

Siç tha sot kryetari i Odës së agro-biznesit pranë Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE) Ognen Orovçanec, sipërfaqet po zvogëlohen, ndërsa prodhimtaria vazhdon të bie edhe pse kapacitet për rritjen e saj ka. Po zvogëlohet edhe interesi për bujqësinë në përgjithësi.

“Në Maqedoni ka 68.000 hektarë sipërfaqe me grurë për dallim prej para 25 deri 30 viteve kur sipërfaqet arrinin 280.000 hektarë. Në Manastir çmimi blerës për momentin është 11 deri 11,5 denarë që është shumë solide nëse merren parasysh edhe subvencionet. Gruri i blerë dërgohet kryesisht në Greqi dhe Shqipëri”, theksoi Orovçanec në konferencë për shtyp.

Të gjithë që i grumbulluan grurin dhe elbin para të reshurave, theksoi Orovçanec, fituan cilësi të shkëlqyer.

Përpunuesit theksojnë se çmimi i miellit është rritur 30 për qind dhe është 240 deri 250 euro për një ton, përderisa vitin e kaluar ishte 180 euro, por te prodhuesit e brumërave ende nuk ka shtrenjtim dhe për momentin janë më të lira në rajon dhe Evropë.

“Kemi problem me konkurrencën jolojale të cilën e shkaktojnë kapacitetet më të vogla të cilat nuk i paguajnë tatimet dhe për shkak të kësaj janë më konkurruese. Në lidhje me miellin, reagojmë sipas kushteve të tregut. Duhet të jemi logjik dhe të mençur. Zgjidhja është gjithmonë cilësia më e mirë për çmimin më të mirë ose çmimi i mirë për cilësi më të mirë. Kjo është vendimtare. Nuk mund të hymë në atë se a është gruri nga Maqedonia, Serbia ose shtete tjera”, theksoi Goran Georgievski nga “Special”.

Ai konfirmoi se jo vetëm mielli, por edhe gruri importohet.

Sektori i agro-biznesit kërkon nga shteti subvencione të njëjta si në Evropë dhe grante nga 30 deri 90 për qind për kapacitetet përpunuese. Vlerëson se ekonomitë e mëdha janë shtytës të zhvillimit, por nuk është kundër mbështetjes për prodhimet e vogla, gjegjësisht për prodhimtarinë si veprimtari shtesë.

“Nuk dëshirojmë asgjë më shumë se subvencione, si në Evropë nga Buxheti i të cilit brenda vitit ndahen nga 67 për qind për bujqësinë. Maqedonia duhet seriozisht të veprojë me bujqësinë ashtu si edhe të gjitha vendet e zhvilluara. Çka mund të bëhet me 10.000 euro aq sa është mbështetja për fermerët e rinj nëse e dimë se një traktor kushton së paku 250.000 euro?”, pyet Orovçanec, duke shtuar se secila prodhimtari nën 50 hektarë është humbje.

Në konferencën për shtyp u theksua edhe se bujqësia produktive dhe konkurruese tashmë nuk është e mundur pa zbatim të shkencës dhe teknologjive të reja, farë e certifikuar dhe plasman i parapërcaktuar. Ka kaluar mendimi se aktivitetet bujqësore mund të bazohen në traditë dhe aktivitete të thjeshta pa arsimim dhe përvojë.

Orovçanec kumtoi se edhe disa lloje të grurit vendor, të Maqedonisë janë pranuar në Shqipëri, Greqi dhe Serbi./Pacensure

Baby Boo