Maqedonia e Veriut pranohet në Qendrën e mbrojtjes kibernetike të NATO-s


Në kuadër të vizitës zyrtare në Estoni, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, e vizitoi Qendrën e ekselencës së mbrojtjes kibernetike të NATO-s (NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence – NATO / CCDCOE), me seli në Talin, Estoni.

Në takimin me Drejtorin e Qendrës, Mart Norma, Osmani theksoi se siguria kibernetike është në krye të agjendës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila ndërmerr një sërë aktivitetesh për forcimin e kapaciteteve nacionale për t’u ballafaquar me këtë lloj të sfidave, bazuar në strategjitë nacionale të sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride.

Osmani, siç theksohet në kumtesën e MPJ-së, informoi se Qeveria në vazhdimësi bashkëpunon me të gjitha palët e interesuara – industrinë private, komunitetin hulumtues dhe akademik dhe shoqërinë civile, në përmirësimin e parandalimit, përgjigjes ndaj si dhe rimëkëmbjes nga sulmet е infrastrukturës kritike, të cilat me fillimin e luftës u bënë më të shpeshta.

“Në takimin e sotëm, Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dhe pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor i cili është i ekspozuar ndaj kërcënimeve nga sulmet kibernetike, u pranua nga Qendra e ekselencës së mbrojtjes kibernetike të NATO-s dhe është në proces të anëtarësimit të plotë. Në kuadër të procesit, Maqedonia e Veriut mund t’i shfrytëzojë mjetet e Qendrës për ta përforcuar rezistencën e saj ndaj sulmeve hibride dhe ta forcojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Qendra e ekselencës së mbrojtjes kibernetike të NATO-s është themeluar në vitin 2008 dhe ka status të Organizatës ndërkombëtare ushtarake. Misioni i saj është t’i mbështesë shtetet anëtare dhe NATO-n përmes ekspertizës unike ndërdisiplinore në fushën e kërkimit, trajnimit dhe ushtrimeve për mbrojtjen kibernetike.

Baby Boo