Maqedoni, është kthyer grupi i parë i haxhinjve nga tokat e shenjta

Grupi i parë i haxhinjve i përbërë nga 168 besimtarë ka mbërritur në aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh”, të cilët ishin në tokat e shenjta të Arabisë Saudite për të kryer kushtin e pestë të Islamit, Haxhin, raporton Anadolu Agency (AA).

Baby Boo

Në aeroportin e kryqytetit maqedonas haxhinjtë u pritën nga familjarët dhe të afërmit e tyre, ndërsa brenda aeroportit dominonte një atmosferë e lumtur dhe plot gëzim.

“Falenderojmë organizatorët që ishte një rast për t’u përshëndetur, sepse në Meke i kishim hotelet shumë afër dhe çdo haxhiu iu mundësua që pesë kohët e namazit t’i fal në Qabe. Po ashtu edhe në Medine ishin kushtet mjaft të mira, në përjashtëm të disa mangësive të cilat shpresojmë se do të plotësohem në të ardhmen”, u shpreh Islam Nuredini për AA, një nga udhëheqësit e grupit.

Gëzim i madh mbizotëronte edhe tek haxhinjtë e kthyer, shumica e të cilëve thonin se është dashur të kryejnë haxhin shumë më parë, që në jetën e tyre të arrijnë të vizitojnë tokat e shenjta më shumë se një herë.

“Porosia ime është se çdo kush që dëshiron të shkojë në haxh, duhet të shkojë sa më i ri, sepse për të moshuarit ishte vështirë. Ai që dëshiron t’i arrijë të gjitha vizitat duhet të shkojë më i ri. Mua nëse më jepet mundësia do të shkoja edhe një herë”, tha Jakup Jahja, një i moshuar nga fshati Negotinë.

Kthimi i haxhinjve nga tokat e shenjta realizohet në katër grupe të ndara nga 168 haxhinj. Grupi i dytë pritet të kthehen mbrëmjen e nesërme, ndërsa grupi i tretë dhe i katërt pritet të kthehen gjatë ditës së mërkurë.

Çmimi për të kryer Haxhin këtë vit kushtoi 3.900 dollarë (rreth 3.380 euro), ndërsa nga Maqedonia udhëtuan gjithsej 672 haxhinj me katër aeroplane.