Lufta në Gaza, Papa bën thirrje për të parandaluar “katastrofën humanitare


Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku, pas sulmit të Izraelit në një spital në Gaza, tha se situata në Gaza është e pashpresë duke bërë thirrje për parandalimin e një fatkeqësie humanitare.

Papa foli rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme në seancën e pritjes së përgjithshme të mbajtur të mërkurave në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

“Sot mendimet tona shkojnë në Palestinë dhe Izrael. Rritet numri i të vdekurve. Gjendja në Gaza është e pashpresë. Ju lutem bëni gjithçka që është e mundur për të parandaluar katastrofën humanitare”, tha Papa.

Sipas tij, në një periudhë kur shumë fronte lufte janë të hapura në botë, është tejet shqetësuese zgjerimi i konfliktit. “Le të heshtin armët, le të dëgjohen britmat e të varfërve, njerëzve dhe fëmijëve për paqe”, u shpreh ai.

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve përsëriti thirrjen e tij për paqe dhe njoftoi se ata do të mbajnë një ditë lutjeje për paqe me një ngjarje publike në Vatikan të premten, më 27 tetor.

Ai ftoi edhe përfaqësuesit e sekteve të tjera të krishterëve si dhe të besimeve të tjera, ndërsa kërkoi të bëhen lutje edhe për Ukrainën.

Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 304 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se mbi 3 mijë palestinezë u vranë dhe 12.500 u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit. Thuhet se 62 palestinezë u vranë dhe rreth 1.250 u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 8 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.

Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

Së fundmi, të paktën 500 palestinezë u vranë mbrëmë në sulmin e Izraelit ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza.

Baby Boo