Loret Sadiku ‘godet’ Kosovën dhe Shqipërinë, i ofrohet kësaj Përfaqësueseje!

Loret Sadiku është dorëzuar përfundimisht nga opsioni për të luajtur për Kosovën, shkruan sot gazeta Zëri.

Baby Boo

Futbollisti kosovar ka pritur me vite, por ka hasur në probleme me dokumentacion.

Tash qendërmbrojtësi i njohur i është vetofruar Suedisë.

Sadiku, i rritur në shtetin skandinav, kishte luajtur fillimisht për këtë ekip përfaqësues, ndërsa më pas e kishte zgjedhur Kombëtaren shqiptare.

Mirëpo përkohësisht e përfaqësoi edhe Kosovën, por pas pranimit të FFK-së në UEFA e në FIFA atij iu mohua përfaqësimi i Kosovës, pasi një lojtar nuk ka të drejtë t’i përfaqësojë tri shtete të ndryshme.

“Pas asaj ndeshjeje (me Kosovën) ndaj Haitit Federata Shqiptare ka thënë se nuk do të luajë më kurrë për Shqipërinë. Por pavarësisht kësaj më ftuan përsëri në ekipin kombëtar. Unë më pas kam qenë i sinqertë dhe e kam thënë atë që e kam menduar. Më pas drejtuesit e FSHF-së e kanë dërguar mendimin tim në mediet shqiptare. Unë vetëm kam kërkuar që të luaj e jo diçka tjetër. Kjo temë kishte krijuar një kaos të vërtetë”, ka treguar Sadiku për mediet suedeze, duke shtuar se Federata Shqiptare e Futbollit e ka penguar këto vite që të luajë për Kosovën.

“Unë e kam shkruar një letër, sepse e kam ndërruar ekipin kombëtar dhe më pas ata thanë se nuk mund ta ndërrosh përsëri. Mirëpo unë e di se kishte lojtarë të tjerë që e ndërruan ekipin përfaqësues pa problem. Mu duk e çuditshme që nuk mund ta ndërroj përfaqësuesen, sepse nuk kam luajtur në ndeshje zyrtare e madje s’kam qenë as në stërvitje me Shqipërinë. Ata (Shqipëria) vetëm duan të më dëmtojnë, kjo është e tëra”, akuzon Sadiku.

Ai është ankuar edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), për të cilën thotë se po ashtu nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar që ta zgjidhë çështjen e dokumentacionit.

“FIFA thotë se duhet ta marrë një letër nga Shqipëria, e cila nuk është e lehtë. Unë nuk dua të shkoj atje personalisht.

Ndërkohë, Kosova nuk dëshiron të më ndihmojë kur bëhet fjalë Shqipëria. Ata nuk duan t’i prishin punët me Federatën Shqiptare. Ata (Kosova) nuk më besojnë. Unë dua ndihmë që t’i padisë atë (FSHF-në)”, shprehet Sadiku.

Tash në mendjen e tij qëndron Suedia, të cilën e kishte përfaqësuar në ekipin e të rinjve, raporton Zeri.info.

“Nuk ka më shumë për t’u bërë, nuk dua të sikletohem. Por, do të ishte ndjenjë mjaft e mirë që ta përfaqësoj ndonjë ekip nacional. Është diçka krejt ndryshe nga niveli ekipor. Për shembull, ishte një periudhë e shkëlqyeshme kur luaja për ekipin U-21 të Suedisë. Do të ishte një argëtim për mua”, shton futbollisti kosovar.

“Unë jam rritur në Suedi, e dua Suedinë dhe ndihem si të jem suedez. Pra, pse jo (të luaj për Suedinë)? Sidoqoftë, e di se do të çohej shumë pluhur dhe do të më quanin tradhtar si Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën. Ata shkruan shumë gjëra të këqija për ta, por tash ata janë mbretër për golat që i kanë shënuar ndaj Serbisë. Gjërat ndryshojnë shumë shpejt”, nënvizoi qendërmbrojtësi.

“Po, do të luaja për Suedinë, sepse askush tjetër nuk dëshiron të më ndihmojë. Është diçka e ndjeshme, siç e thashë. Por, unë nuk ndihem më pak suedez se dikush tjetër vetëm pse nuk e kam zgjedhur këtë ekip që nga fillimi. Çdonjëri i bën zgjedhjet e tij, ndonjëherë ajo mund të jetë gabim e ndonjëherë me vend”, përfundoi Sadiku.

Restorant Lumare