Loja e madhe: Çfarë po ndodh në territorin e Kosovës?


Deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” sjellin reagime të forta politike në Kosovë dhe Shqipëri. Rreziku i idesë që t’i jepet Serbisë Veriu i Mitrovicës dhe t’i bashkohet Kosovës Lugina e Preshevës. Dyshimet se pas artikulimeve të Thaçit mund të fshihet një marrëveshje madhore Trump-Putin për një “paqe” mes Serbisë dhe Kosovës pas shkëmbimit të territoreve.

Korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, është vija e hollë ndarëse që mund të zgjidhë një problem përgjithnjë mes dy vendeve, ose mund të çojë në një konflikt, fundi i së cilës do ishte katastrofa, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë dhe Serbi po zien debati i madh që mund të çojë drejt një marrëveshjeje mes dy vendeve, ku Veriu i Mitrovicës i kalon Serbisë, ndërsa Kosova do fusë në hartën e saj territore si Preshevën, Metvegjajn dhe Bujanovcin. Termin krejtësisht të padëgjuar më parë: “korrigjim kufijsh” e përmendi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pak ditë më parë, duke theksuar se ky do ishte një opsion që mund të çonte drejt zgjidhjes së konflikteve me Serbinë. Ndër të tjera përmendi edhe Luginën e Preshevës, si një mundësi që t’i kalojë Kosovës. Por kjo ide mbetet krejtësisht e pamundur që Serbia të lëshojë, pa përfituar edhe ajo, madje shumë, çka shton zërat në një shkëmbim territoresh. I vënë përballë akuzave në Kosovë, e madje edhe miq të huaj, Thaçi është detyruar dje që të bëhet me diplomat në qëndrime, duke moderuar termat, por nuk ka përjashtuar një “marrëveshje të re”, që sipas tij do tejkalonte armiqësitë. “Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjatë. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: “korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit”-deklaroi Thaçi. Sipas tij, kërkesa është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garanton serbëve në Kosovë. Por pyetjes se mund të jepet Veriu i Mitrovicës në këmbim të Luginës së Preshevës Thaçi iu përgjigj: “Kosova nuk ka hyrë në këtë dialog për të humbur, as për të dhënë. Kosova ka hyrë në këtë dialog për të arritur marrëveshje paqësore në përputhje me interesat shtetërore”.

Një lojë e madhe…

Analistët, por edhe vetë politika është e ndarë në Kosovë, ku dyshojnë se Presidenti Thaçi po luan në një terren të vështirë, duke u investuar për ndonjë ndarje të mundshme të Kosovës, me idenë e shkëmbimit të territoreve; aty ku shumica është me popullsi serbe t’i kalojë Serbisë dhe ku është me popullsi shqiptare t’i bashkëngjitet Kosovës. Por të flasësh për ndryshim apo qoftë edhe “korrigjim” kufijsh në një situatë të ndezur në Ballkanin Perëndimor është një barrë e madhe, që Thaçi kurrsesi nuk duket se po e “peshon” i vetëm. Pyetja e madhe që ngrihet është nëse në këtë ide të papritur të ndryshimit të kufijve BE dhe SHBA a janë në të njëjtën linjë? “Në dy dekadat e fundit, në të gjitha proceset politike Kosova ka dalë fitimtare pikërisht se ka besuar në SHBA-në, edhe atëherë kur disa kanë pasur dyshime apo kanë qenë skeptik. Gjithmonë kemi qenë bashkë me Amerikën. Edhe në fazën e fundit të dialogut jemi bashkë. Ne nuk do të befasojmë partnerin tonë strategjik, i cili është meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. SHBA dhe BE janë fuqishëm në mbështetje të arritjes së marrëveshjes dhe janë të koordinuara në mes vete”, deklaroi Thaçi. Politika nuk është vetëm ajo që duket, pasi lobimet, diskutimet dhe marrëveshjet e mëdha arrihen jashtë syve publike, duke u servirur më pas si “procese dialoguese”. Pikërisht dyshimit se tashmë ndarja e Kosovës është një fakti i kryer me shkëmbimin: Vëri i Mitrovicës-Luginë e Preshevës po lihet të nënkuptohet, kur edhe organizmat e huaja nuk kanë reaguar madje në OKB është lënë e lirë mundësia e diskutimeve mes dy vendeve edhe për këtë çështje. Gazetat prestigjioze ndërkombëtare kanë shkuar më tek kur analizojnë se nën moton e një “Ballkani stabël”, mund të jetë arritur një dakordësi mes presidentit amerikan Trump dhe atij rus Putin mbi çështjen Kosovë-Serbi, që mund të shkojë deri në shkëmbim territoresh, me kusht që Serbia të njohë Kosovën dhe të ketë një fqinjësi të mirë. “Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore. Ky proces, nëse tregohemi të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare: në BE, NATO dhe OKB”-pati deklaruar Thaçi. Por asesi nuk do ishte kaq “rozë” kjo marrëveshje nëse Serbia në këmbim nuk do merrte atë që ka synuar gjithnjë, Veriun e Mitrovicës.

Kundërreagimet e forta politike

Deklarata e Thaçit në ditët e para të gushtit shkaktoi jo vetëm habit ë madhe, por edhe reagime të forta politike. edhe partitë bashkëqeverisëse me Thaçin kanë dalë kundër, ku ndër të artikuluarit qartë është edhe Ramush Haradinaj. “Nuk ka asnjëri që dëshiron lëvizjen kufijve, vetëm njërit i shkon, ai është Vladimir Putin. Ai ka dëshirë m’i lëvizë në Bosnjë, që të përfitojë precedent. Është gabim që ne t’i ndihmojmë Putinit për ndarje dhe lëvizje”-deklaroi kryeministri i Kosovës. Më të ashpra kanë qenë partitë opozitare të cilat nuk kanë hezituar që ta konsiderojnë Thaçi si “tradhtar që po shet interesat e vendit”. Pa u shuar kjo jehonë, një tjetër personazh politik që doli kundër ishte ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. “Personalisht unë kam qenë dhe jam gjithnjë për paprekshmërinë e kufijve të Kosovës dhe çdo lloj copëtimi, ndarje apo tregtie me territorin e saj dhe kundër çdo diskutimi për këto çështje”-tha Berisha. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Thaçit, që shkoi në etiketime mjaft të rënda duke nënkuptuar për Berishën se ishte ai që kishte mbështetur Millosheviçin në vitet 1992-1997 dhe kishte etiketuar UCK-në si lëvizje terroriste. Deri më tani nuk ka pasur reagim të qartë nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk është investuar në debatin e kësaj çështje kaq madhore. Në këtë rast duket se heshtja për një kohë të gjatë e Ramës vlen më shumë se artikulimi, për më tepër që protagonizmi politik i tij edhe si “lider rajonal” nuk ka munguar…

Loja e dekriptueshme me tregimin e “forcës”

Njësitë elitare të Policisë së Kosovës kanë nisur të grumbullohen prej orës 6 të mëngjesit të kësaj të diele, në bazën “Belvedere” të fshatit Frashër të Mitrovicës. Veç pjesëtarëve të policisë, në këtë bazë kanë ardhur edhe forcat e njësisë elitare të njohur si “FIT”, si dhe forca të tjera speciale nga Prishtina. Ndërkohë, edhe ushtria serbe ka rritur gatishmërinë e saj, siç raportojnë mediet serbe për shkak të tensioneve në Kosovë. Gazeta serbe “Novosti” shkruan se organet e sigurisë në Serbi kanë rritur aktivitetet e tyre për të parandaluar planet për trazira në veriun e Kosovës, edhe si pasojë e veprimtarisë së qarqeve të caktuara në Serbi, që përmes lajmeve të rreme po shqetësojnë popullatën serbe në veriun e Kosovës. Pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi, gazeta serbe citon “burime të mirinformuara”, kur thotë se “kreu i shtetit serb po shqyrton masat që do të ndërmerren nëse shkelet marrëveshja e Brukselit dhe refuzohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”. Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë u mblodh paraditen e së shtunës, pas informacioneve të shërbimeve të kundërzbulimit serb se shqiptarët po planifikonin të ndërhynin në veri të Kosovës, për shkak të paralajmërimeve të rreme, se serbët do të shpallnin njëanshmërisht formimin e Asociacionit.

Baby Boo