Ligji për media, Mançevski: Opozita të ndërpresë obstruksionet, zgjidhje ka, por pas 30 shtatorit


Ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, sërish ka apeluar deri tek opozita maqedonase që të mos bëjë obstruksione dhe të lejojë miratimin e Ligjit për Shërbime Audio dhe Audio Vizuele.

Sipas Mançevskit, mosmiratimi i ligjit, mediave elektronike u pamundëson t’i realizojnë obligimet e dala nga Agjencia e Mediave, e në veçanti pamundëson funksionimin e Servisit Publik si dhe të institucioneve të sistemit.

Miratimi i ligjit është i bllokuar në komisionin për Transport dhe Lidhje. Komisioni udhëhiqet nga opozita e cila në vazhdimësi po bën obstruksione procedurale të cilat pamundësojnë votimin e ligjit për të cilin nevojitet vetëm shumicë e thjeshtë dhe jo dy të tretat e votave.

“Ligji për shërbime audiovizuele nuk është ligj i cili miratohet me dy të tretat e votave, megjithatë Komisioni për Transport dhe Lidhje ku mbahet apo nuk mbahet debati për këtë ligj, udhëhiqet nga opozita. Po bëhen obstruksione të vazhdueshme procedurale nga ana e opozitës, vetëm e vetëm që të vazhdohet karriera e disa njerëzve në Servisin Publik dhe asgjë më tepër”,-tha ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski.

Zgjidhje për këtë çështje Mançevski paralajmëron pas 30 shtatorit, respektivisht pas përfundimit të referendumit. Nëse opozita nuk ndryshon sjelljen për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë do të shqyrtohen opsione të tjera procedurale përmes Kuvendit. Mançevski i bën thirrje edhe Agjencisë së mediave, që e njëjta të funksionojë si rregullator i depolitizuar, dhe të  reagojë njëlloj për të gjitha shkeljet e paligjshme pavarësisht  nga  cilët faktorë vijnë.

Agjencia e mediave kërkon që televizionet të respektojnë obligimet për emetimin e programit të filmit dhe dokumentarit, në të kundërtën, rregullatori paralajmëron gjoba për të gjitha mediat të cilat nuk i plotësojnë obligimet e dhëna edhe pse akoma në Kuvend nuk është miratuar Ligji i ri për shërbime mediatike.

Baby Boo