Lëvizja BESA kërkon dorëheqjen e Ahmetit dhe hetime nga organet shtetërore


Gazetare: Fatlume Dervishi

Lëvizja Besa fton kreun e BDI-së Ali Ahmeti të japë dorëheqje bashkë me Ramiz Merkon dhe funksionarët e tjerë të partisë së tij për t’i hapur rrugë hetimit nga ana e organeve shtetërore, pas indikacioneve të njëpasnjëshme për korrupsion dhe manipulime në radhët e funksionarëve dhe të familjarëve të tij. Megjithatë kreu i Besës Bilall Kasami, dyshon se Ahmeti do ta bëjë një gjë të tillë sepse, siç thotë, nuk është i sinqertë në thirrjet e tij për hetim.

“E dimë se nuk mjafton hetimi që bëjnë miqtë tanë amerikan andaj edhe thërrisni prokurorinë për ta hetuar xhambazin e Strugës, Merkon, por ne do t’ju pyesim një gjë; për cilën prokurori e keni fjalën? Për atë prokurori që drejtohet nga një shërbëtor i juaji? Për atë që është e kapur kokë e këmbë nga ju? E keni fjalën për prokurorinë që e udhëheq Islami i cili njëjtë si nipi juaj nuk e dinte se si ka përfunduar nëpër shtëpitë tuaja duke bërë fotografi me ju dhe familjarët tuaj? Prej nga brenda natës nipi juaj arriti të zgjohet në mëngjes me një kapital prej 32 milion euro?”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

E VMRO-DPMNE-ja vazhdon të publikojë informacione të tjera që lidhen me nipin e kreut të BDI-së, Drin Ahmeti dhe firmën e tij “Thor Industries”. Ky I fundit pak kohë më parë u bë bashkëaksionar i qendrës tregtare “Soravia” e cila sipas opozitës ka vlerë prej 25-30 milion euro.

“Drin Ahmeti me “Thor Industries”, bashkë me një firmë tjetër nga klani i Zajazit për të cilën do të flasim këto ditë është përfshirë në ndërtimin e Korridorit 8 kurse marrëveshja që e kanë të dy firma është 1.3 milion euro për gërryerje dhe punë të tjera ndërtimore. Kur një numër i madh i kompanive mezi gjejnë punë, kompania e Drinit është partneri më i dëshiruar dhe nën-realizuesi i formave shumë më të mëdha. A fshihet Ahmeti pas kësaj dhe a ka tregti me ndikim? Përskaj Korridorit 8 si “Thor Industries” e Drin Ahmetit është e kyçur edhe në ndërtimin e rrugës Kërçovë-Dibër?”, deklaroi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Drin Ahmeti nëpërmjet një komunikate përgënjeshtron pretendimet e Kovaçkit duke thënë se informacionet janë gënjeshtër.

“Pretendime të tilla të rreme dëmtojnë kompaninë “Thor Industries”, si dhe reputacionin personal të pronarit Drin Ahmeti. Po ashtu, “Thor Industries” kërkon falje publike nga VMRO-DPMNE dhe z. Kovaçki, në të kundërt do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për dëmin e pësuar nga të pavërtetat e paraqitura nga z. Kovaçki”, tha Drin Ahmeti, Thor Industries. /Alsat.mk

Baby Boo