Letra e Cooperit për trazira, Kryetari i Preshevës nuk përjashton kryengritje


Trazirat e paralajmëruara nga ish-Lehtësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Robert Cooper nuk po i përjashton as Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Arifi, megjithatë, shpreson se gjithçka do të shkojë mirë, percjell Fakte.

“Sa i përket ditës së nesërme, unë shpresoj dhe besoj që gjithçka do të shkoj në rregull dhe nuk do të ketë ndonjë tentativë të tillë nga kushdo qoftë në drejtim të procesit zgjedhor të nesërm sepse kjo vetëm krijon destabilitet dhe nuk krijon diçka që është e mençur. Në këtë drejtim jam më i qetë. Besoj dhe shpresoj që nuk do të ketë ndonjë incident të tillë. Nuk përjashtoj asgjë, dukuritë negative qarkullojnë në këtë rajon dhe asgjë nuk është e befasishme”, ka thënë Arifi për Gazetën Express.

Në anën tjetër, në letrën konfidenciale e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), të udhëhequr nga Rober Cooper, përveç prapaskenave për ndarje të Kosovës, ngritët edhe një shqetësim tjetër për trazira të mundshme në Serbi në prag të zgjedhjeve për Këshillat Kombëtare të Pakicave që do të mbahen nesër me 4 nëntor.

Sipas kësaj letre thuhet se një eskalim i mundshëm i situatës në Luginë të Preshevës mund të detyrojë Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje sa më shpejtë që është e mundur.

“Është shumë e mundur që këto zgjedhje do të përdoren për të dobësuar organet e vetëqeverisjes së pakicave të cilat kohët e fundit janë portretizuar si ‘lëvizje separatiste. Një eskalim etnik në Preshevë dhe Novi Pazar mund të sjellë një urgjencë për nënshkrimin e një marrëveshjeje”, thuhet në këtë letër.

Sidoqoftë, shefi i komunës së Preshevës thotë se fuqizimi i shqiptarëve në këto zgjedhje për Këshillat Kombëtare të Pakicave, do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë shqiptarët, sidomos në fushën e arsimit.

“Këshilli Kombëtar shqiptar është një mekanizëm tjetër që përfshinë katër fusha: Arsimin, kulturën, simbolet kombëtare dhe informimi në gjuhën shqipe. Tekstetet shkollore varen nga Këshilli Kombëtar, apo përdorimi i simboleve kombëtare, apo edhe formimi i një muesumi për kulturën kombëtare shqiptare varen nga ky Këshill”, ka thënë kryetari i Preshevës.

Ai nuk beson se do të ketë incidente përgjatë këtyre zgjedhjeve, dhe thotë se fuqizimi i këtij Këshilli Kombëtar të Shqiptarëve do të ndihmonte edhe Serbinë në përmbushjen e obligimeve për pakicat që dalin nga Bashkimi Evropian.

“Unë nuk besoj se do të veçohet nga Serbia këshilli kombëtar shqiptar dhe do të krijohen aty incidente. Nuk besoj. Forcimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar e forcon qeverinë e Serbisë, në atë drejtim që të përmbush kërkesat e BE-së për fuqizimin  e minoriteteve”, ka shtuar tutje Arifi.

Sa i përket konstatimit të letrës sekrete të Cooperit, se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet fjalë vetëm për ndarje të Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia, pa bashkim të Luginës së Preshevës, Arifi thotë se një gjë e tillë as që vjen në pyetje.

“Ajo nuk vjen në pyetje. As nuk e besoj që politika kosovare e lejon, e as politika e Luginës nuk e lejon” ka përfunduar kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Gazeta Express dje e ka publikuar të plotë dokumentin sekret të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë në të cilin zbulohen bisedat sekrete për ndarje të Kosovës.

Baby Boo