“Le të përhapet gënjeshtra; madje le të triumfojë, por jo përmes meje”


“Vetëm ti e ke në dorë me vendosë me jetu me nder. Ja cila duhet të jetë kredoja jote:
le të përhapet gënjeshtra; madje le të triumfojë, por jo përmes meje.”
(Sollzhenjicin)

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë
Kjo është e vetmja “formulë” që garanton për-mirësim të qëndrueshëm, për të ndreqë kështu hap pas hapi vendin ku jetojmë: duke fillu nga vetja. Kjo kredo është aktuale në çdo kohë dhe hapësirë. Është e vetmja filozofi që garanton dakordësi më shumë se çdo filozofi tjetër, në një botë me kaq shumë filozofi ndryshimi e me kaq pak drejtësi; me kaq shumë teori e me kaq pak dritë; me kaq shumë libra e me kaq pak urtësi; me kaq shumë premtime e me kaq pak buzëqeshje.

Sollzhenjicini e përmend gënjeshtrën në thënien e mësipërme, por një parim i tillë vlen për çdo lloj të keqeje tjetër: le të përhapet kjo apo ajo e keqe, por jo përmes meje! Ja, kaq e thjeshtë është të ndryshosh vendin tënd, po ta desh imagjinata edhe botën – duke nisë me veten, më saktë duke u marrë më shumë me veten se me çdokënd e me çdo gjë tjetër.

Po, është me gjithë mend e thjeshtë në rrafsh vetëdije dhe dijeje ose, siç themi rëndom “teorikisht”, por ndryshon puna kur përballemi praktikisht me njerëz e rrethana të ndryshme, me gëzime e hidhërime, me arritje e me dështime, me begati e varfëri, me shëndetin dhe sëmundjen, me të fi*smen dhe ba*nalen: disa rezistojnë dhe në fund fitojnë, në të gjitha kuptimet e fjalës fitore; kurse disa bien pre dhe justifikohen në forma nga më të larmishmet: “kështu është koha”, “duhet me u përshtatë pak”, “kështu bëjnë të gjithë”, “ça t’bësh; nuk jam unë i pari e as i fundit”, “të detyrojnë” e kështu me radhë. Në fakt, e vërteta është se, përveç vetvetes, askush nuk na detyron të bëjmë keq; askush dhe asgjë nuk na detyron të zhvishemi nga nderi.

“Dashnia don me thanë:
larg egos me qëndru;
me i çil’ sytë kah i brendshmi vizion
e për kët’ botë mos me t’u ba fort vonë.” (Rumi, përkth.: E.Ç)

Thellë-thellë të gjithë e dimë se çfarë duhet me ba, se nga me ia fillu, por, ngaqë nuk na pritet, ngaqë na soset shpejt durimi, ndjekim rrugën e shkurtër: kërkojmë me ndryshu botën, me shpresën se bota ka me na ndryshu edhe neve! Por, “rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”.
“Njeriun nuk e bëjnë rrethanat; ato vetëm sa e zbulojnë atë përballë vetvetes.” (Epikteti)
Këtu jemi në zemrën e këtij paradoksi: “Të gjithë kërkojnë me ndryshu botën, por askush veten.” (Tolstoi)

Në fakt, gjithë kjo vlen për ata që kanë durim, që besojnë se parajsa nuk është e mundur këtu dhe tani, se parajsa këtu është një iluzion që shkakton qenie automate, të depersonalizuara, jo njerëz prej hiri e gjaku. Kjo vlen për ata që besojnë se nuk mund të mblidhen të gjitha të mirat në një brez ose kohë; që besojnë se drejtësia, liria dhe paqja ripërtërihen brez pas brezi, kohë pas kohe; se ato nuk janë të përsosura në asnjë kohë ose brez, sepse vetë njeriu nuk është i tillë.

Një qenie e papërsosur, me të meta e kufizime të caktuara nuk mund të bëjë diçka të përsosur, pa të meta e të pakufizuar. Le të bëjmë atë që mundemi, por duke synuar më të mirën.
Një brez është një betejë, ndërsa të gjithë bashkë jemi lu*fta (përpjekja) në kërkim të paqes.

Baby Boo