Lajçak: Nuk e di nëse do të marr pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, deklaroi në Prishtinë se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në takimin e 27 qershorit në Uashington, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë.

Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është paralajmëruar nga i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Lajçak tha se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ka qenë i vazhdueshëm, por ka vënë pikëpyetje nëse do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Deri sot, nuk e di. Por ajo që di është se Bashkimi Evropian ka punuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur në dialog, është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të dëshiroja që të vazhdonim dhe shpresoj që do të kemi komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në”, tha Lajçak.
Këtë deklaratë, ai e ka bërë pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Lajçak tha se në Kosova ka ardhur në emër të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili, siç tha ai, është shumë serioz kur bëhet fjalë për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë pres që këtë proces ta përcjellim me sukses dhe të sjellë sukses, ashtu siç ka filluar nga vitin 2011. Pata një bisedë konkrete me presidentin Thaçi për planin, për elementet, metodologjinë dhe do të vazhdojmë komunikimin tonë gjithashtu edhe me përfaqësuesit tjerë të Kosovës”, tha Lajçak.
Ai shtoi se do të shkojë edhe në Beograd, për të biseduar me autoritetet e atjeshme, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet për procesin e dialogut dhe të organizohet së shpejt një takim në Bruksel.

Thaçi: Besojmë në angazhimet e administratës amerikane
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjatë takimit me Lajçakun, ia ka bërë të qartë pozicionin zyrtar të Kosovës, sa i përket dialogut.

“I konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajçak, është se ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, ndërsa duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. E ardhmja e Kosovës është e sigurt vetëm duke qenë pjesë e perspektivës evropiane, konkrete. Natyrisht që në këtë drejtim ne do të punojmë ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara që të lëvizim më shpejt, më mirë drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, të gjitha përpjekjet që çojnë drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, janë të mirëseardhura, duke shtuar se koordinimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së mund të sjellë të mira për Kosovën e Serbinë si dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë në angazhimet e sinqerta të administratës amerikane. Në fund të fundit, për ne është me rëndësi jetike – besoj që edhe do të ndodhë – që edhe SHBA-ja dhe BE-ja do të kenë një koordinim të suksesshëm si partnerë strategjikë, për Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, që prej se në prill u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Kjo masë u zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Baby Boo