Kurti: Nuk do të qeverisim nga inati apo për hakmarrje, po vetëm mbarë e mirë


Lëvizja Vetëvendosje e nisi sot tubimin zgjedhor në Prishtinë, ku parakaloi nëpër rrugët e kryeqytetit, duke u nisur nga tre pika të ndryshme, për t’u bashkuar në sheshin Skënderbeu. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, i ka prirë turmës së bashku me bashkëshorten e tij. Po ashtu edhe Vjosa Osmanin e shoqëroi i shoqi. Një grup tjetër simpatizantësh të VV-së është udhëhequr nga Arben Vitia, Glauk Konjufca, Arbërie Nagavci e figura të tjera të larta të VV-së, të cilët u nisën nga lagjja Dardania.

Fillimisht turmës iu drejtua Osmani, e cila tha se më 14 shkurt do t’i dërgojnë në pension politik kundërkandidatët e tyre. “E japim një mesazh për kapësit e shtetit: ’Hapni rrugë se ndryshimi po vjen’. Do t’i dërgojmë në pension ata që kurrë nuk i interesoi interesi juaj por vetëm xhepi i vet. Me 14 shkurt do t’i japim pensionimin politik atyre që thonë se qytetari nuk vendosë – le ta shohim të dielën se kush vendosë”.

“Pas 14 shkurtit do t’ia japim qytetarëve qeverinë e shpresës, por jo si herën e kaluar për 50 ditë, por për 4 vitet e ardhshme, sepse ashtu është do të jetë vullneti juaj”. “Ne i bashkuam forcat me VV-në se ky ka qenë vullneti juaj! Ju jeni ata që na keni bashkuar dhe që do të na mbani bashkë deri në çkapjen përfundimtare të shtetit”, u shpreh ajo para simpatizantëve të tyre në shesh.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka deklaruar se këtë të diel le ta kujtojnë edhe gjeneratat e ardhshme, për siç tha, për faktin që të gjithë u bashkuan për të vendosur për të ardhmen e tyre krejt dhe drejt. “Ka qenë një fushatë e paparë deri më sot. Na keni pritur me lot në sy dhe buzëqeshje në fytyrë. Na keni përcjellë me buzëqeshje e lot, e me duart që na mbështesnin nga prapa për ta vazhduar punën, e na keni hapur dyer e shtëpive tuaja, sepse një herë na e keni hapur zemrën për atë që na duhet e duam, bashke krejt e drejt”.

“Nuk jemi në sallë me karrige jo veç për shkak të pandemisë, por sot nuk mund të mendojmë ulur, por vetëm në këmbë. Prandaj është ngritur populli bashkë që ish pushtetarët të ikin bashke, se jemi bashkë për të mirë, sepse ata janë bashkë për të vjedhur, sepse ne do vijmë sepse ata po shkojnë”.

“Qytetarët e dinë që në këto 15 vjet ne kemi lëvizur drejt”. “Do të jem kryeministër për të gjithë dhe do t’i dëgjoj të gjithë, edhe ata që nuk na votuan”. “Ne nuk do të qeverisim asnjëherë nga inati apo për hakmarrje, po vetëm mbarë e mirë, me program e sipas ligjit”. “Nuk duhet të lejojmë që të na përsëritet skenari i vitit të kaluar, as marsi kur u rrëzua Qeveria në kulmin e pandemisë dhe punëve të mirë. Këtë nuk duhet ta lejojmë vetëm nëse dalim masivisht në zgjedhje”.

“Shqiptarët e mërguar do të kthehen, sepse do të kthehet shpresa. Siç u kthyen në vitin ‘99 sepse erdhi NATO e UÇK. Me qeverisjen tonë të re kthehet shpresa te njerëzit, sepse ata që kanë ikur, kanë ikur prej pushtetit”.
“Jemi të bekuar me mërgatën tonë. Ata nuk heqin dorë nga ne, dhe nuk lejojmë të heqin dore nga vetvetja. Jemi përjetë mirënjohës dhe falënderues gjithnjë”. “Mërgata jonë është nisur me shpejtësi prej 127 kilometrash në orë për të votuar”, u shpreh Kurti para turmës në sheshin Skënderbeu.

Baby Boo