Kurti i kërkon “mejdan” Thaçit: Jep dorëheqje, dil në zgjedhje, të shohim sa vota merr!


Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet ta respektojë kushtetutën. I ka bërë thirrje të japë dorëheqje nga posti i presidentit e të sfidojë veten në fushatë.

Ai duke iu përgjigjur deklaratave të sotme të presidentit Thaçi, tha se “ai duhet ta lirojë ulësen sepse nuk është i kënaqur vet me punën e tij”.

“Le të vijë në fushatë e të sheh votat që merr. Ai dëshiron të jetë më shumë se president e për këtë i duhet dikush që është më pak se kryeministër. Tek unë nuk mund ta gjejë këtë sepse është rezultati i 6 tetorit 2019. Në këtë kuptim, kemi president të frustruar i cili po bëhet gati për fushatën zgjedhore. Më së miri, më së drejti e sinqerti, është të dorëhiqet e të vijë në fushatë. Institucionet nuk janë të bllokuara por kemi një karrige të bllokuar”, u shpreh Kurti.

Kurti, tutje tha se beson se Gjykata Kushtetuese nuk bjen në kundërshtim me vetveten, dhe as nuk lejon që dekretet e Thaçit të jenë autor të shkrimeve të Kushtetueses.

“Nëse ka zbrazëtira në Kushtetutë, s’mund t’i mbushë Thaçi me dekrete. Me gabimin që ai ka bërë, është shtuar edhe frustrimi i tij”, u shpreh Kurti.

Kurti, tutje ka folur për një provë protestash që para pak ditësh u mbajt në sheshin “Skënderbeu”.

Ka thënë se “ne nuk mbështesim as nuk i inkurajojmë protestat e ushtrimet për protesta”.

“Nuk e di nëse të gjithë kanë qenë në oraret e tyre, por s’na takon neve të vërtetojmë një gjë të tillë, por meqë kanë mbajtur distancën dhe nuk kanë qëndruar më shumë se 10 minuta, s’mund të jetë problem”, tha Kurti.

Baby Boo