Kumanovë, regjistrohen edhe 9 raste të reja me Covid-19


Ka arritur në 320 në total numri i të prekurve nga COVID-19 në Kumanovë, pasi që gjatë 24 orëve të fundit në bazë të testimeve të bëra janë regjistruar edhe 9 raste të reja.

Shtatë persona të prekur nga virusi Korona, të cilët ishin të hospitalizuar në repartin infektiv në Kumanovë, prej sot janë transferuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Deri te një transferim i këtillë ka ardhur për shkak të numrit të reduktuar të personelit mjekësor në repartin e sëmundjeve infektive në Spitalin e Kumanovës, si pasojë e një numri të kuadrit të prekur nga COVID-19, kurse një pjesë tjetër e tyre gjenden në vetizolim.

Ky repart edhe më tej do të vazhdojë të funksionojë dhe në të do të bëhet triazha dhe vlerësimi i gjendjes shëndetësore dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, drejtorin e Klinikës Infektive dhe drejtorin e Spitalit “8 shtatori”, do të bëhet vlerësimi se a do të duhet një pjesë e pacientëve të transferohen në Shkup apo të mbeten për mjekim në Kumanovë.

Ndërkohë që Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili për shkak se 10 anëtarë të tij kanë rezultuar pozitiv në testimin e bërë, tani aktivitetet e veta po i kryen online nëpërmjet videoteknologjisë.

Në takimin e fundit, shtabi ka kërkuar që duke filluar nga dita e martë, 21 prill, e deri më 4 maj të këtij viti, Qeveria e RMV-së ta ndajë territorin e Kumanovës nga korniza e masave të përgjithshme që vlejnë për territorin e përgjithshëm të RMV-së dhe ta fusë në karantinë me kushte të posaçme dyjavore, të cilat do të përcaktoheshin në bashkëpunim me Shtabin Komunal të Kumanovës.

Ndonëse është në fuqi lëvizja e kufizuar deri të martën – 21 prill deri në ora 05:00 të mëngjesit, megjithatë Shtabi Komunal edhe sot ka kryer dezinfektimin e rrugëve në qytet si masë për parandalimin e zgjerimit të COVID-19.

Baby Boo