Kryqi i Kuq në Tetovë ngeli pa objekt, Besimi: qiraxhiu e ka uzurpuar në mënyrë kriminele! (Dokumente)

Organizata komunale e Kryqit të Kuq në Tetovë pretendon se është marrë ilegalisht prej tyre një objekt në posedim të tyre. Kryetari i organizatës Qatip Besimi për Portalb.mk thotë se bëhet fjalë për objektin e vendosur afër parkut të Tetovës, i cili sipas tij ishte tjetërsuar, përmes krimit të organizuar që përfshin disa institucione.

Baby Boo

Ai thotë se që në vitin 1997, Kryqi i Kuq i Tetovës i ka dhënë hapësirën me qira kompanisë Ba-Kom në kohëzgjatje për 8 viteve. Në bazë të marrëveshjes, kjo kompani është dashur të rinovojë lokalin dhe mjetet e investuara në të janë llogaritur në qira. Por kur ka përfunduar marrëveshja dhe kompania është dashur të lëshojë objektin, në vitin 2005, këtu dhe kanë filluar problemet, shpjegon Besimi.

“Në vitin 2005 marrëveshja përfundoi dhe ne në bazë të asaj kemi kërkuar që qiraxhiu të lëshon objektin. Pasi që kjo nuk ndodhi, ne u ankuam në gjykatë, lënda u hodh poshtë pasi që kompania kishte falimentuar dhe ne u detyruam të padisim personin Bari Iljazi si nënshkrues i marrëveshjes si person fizik, procedurë e cila akoma është në gjykatën e Tetovës. Por çfarë është më e keqja, më pas i njëjti person e ka blerë tokën e objektit nga Ministria e Transportit, më pas ka dorëzuar në komunën e Tetovës kërkesë për legalizim dhe në vitin 2012 e ka legalizuar objektin!” thotë për Portalb.mk, Qatip Besimi kryetar i Kryqit të Kuq Tetovë, duke na dhënë edhe dokumentacionin e marrëveshjes që ka bërë me personin në fjalë.

Sipas Besimit, edhe pse nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ankesës së Kryqit të Kuq të Tetovës i janë përgjigjur pozitivisht, është Komuna e Tetovës ajo që ka refuzuar që procedurën ta nisë nga fillimi.

“Prona në emër të Kryqit të Kuq është fshirë edhe në Kadastër dhe e njëjta ka dalë në emër  të Republikës së Maqedonisë që më pas Komuna e Tetovës ti jep personit në fjalë leje legalizimi në vitin 2012, e gjithë kjo është bërë në mënyrë kriminele.“ thotë për Portalb.mk, Qatip Besimi.

Ai thotë se i posedon të gjitha dokumentet se toka dhe objekti janë të Kryqit të Kuq të Tetovës dhe kjo mund të shihet nga leja e ndërtimit nga fletë-pronësia që ky objekt ka qenë në pronë të Kryqit të Kuq.

“Kemi dëshmi se personi i cili figuron tani si pronar ka qenë qiraxhi, dhe kjo vetëm te ne mund të ndodhë që në mënyrë kriminele personi i cili paraqitet si qiraxhi të bëhet pronar i tokës.” deklaroi Besimi.

Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Komuna e Tetovës. Nga Komuna thanë se përmes Sektorit për urbanizëm deri te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kanë dërguar të gjitha dokumentet rreth procedurës për legalizimin e objektit kontestues dhe se janë duke e shqyrtuar rastin në fjalë.

Portalb.mk tentoi të kontaktojë me personin në fjalë por ai mbetet i pakapshëm.