Drejtoresha e shkollës “Istigball” le detyrën, unë nuk mund ta pranoj këtë tendencë…


Drejtoresha e shkollës “Istigball” Qefsere Murseli ka shkruar:

Të dashura mikesha e miq

Më 19 Janar 2023 kur u caktova si ushtruese detyre drejtoreshë e shkollës fillore komunale “Istikball” në Tetovë, premtova që do t’i shfrytëzoj në maksimum të gjitha dijet, aftësitë dhe mundësitë, por dhe asetet në dispozicion, me qëllim që shkollën “Istikball” ta bëjmë një institucion me të cilin do të krenohemi edhe më shumë. Në këtë vijë jam angazhuar vazhdimisht, që të sigurojmë vetëm më të mirën për fëmijët tanë, nxënësit tanë, për ardhmërinë e vendit tonë.
Për më tepër, misioni im si drejtoreshë shkolle ka qenë që përveç kushteve më të mira e komode për punë për mësimdhënësit, në bashkëpunim të ngushtë me ta të zhvilloj më tej një ekip kompakt që do i përgjigjet shpejt dhe në mënyrë efikase sfidave me të cilat përballet shkolla dhe sidomos nxënësit tanë.

Me keqardhje, sot dua t’ju informoj se ky mision rrezikon të dështojë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit serioz e në nivel të duhur, dhe sidomos mungesës së ndihmës ligjore e logjistike por edhe mungesës së mbështetjes morale nga ana e Komunës së Tetovës. Problematik mbetet dhe mungesa e komunikimit sipas një protokoli të vendosur më parë, dhe për pasojë mesazhet nuk komunikohen përmes kanaleve zyrtare, por përmes personave të dytë e të tretë që s’kanë kurfarë lidhje direkte as me shkollën, e as me Komunën e Tetovës, por janë të afërt e familjarë të disave nga figurat kyçe të udhëheqësisë komunale.

Problemi më i madh ka të bëjë me kërkesat e ditës së djeshme dhe të sotshme nga të dërguar të Komunës së Tetovës që unë si drejtoreshë të veproj në kundërshtim me ligjin për të ndërprerë një procedurë disiplinore ndaj dy të punësuarave të cilat jo vetëm që nuk e respektojnë orarin e punës, por edhe shpeshherë nuk shfaqen aspak në vendin e punës, duke kryer në këtë mënyrë obstruksione serioze në mbarëvajtjen e procesit edukativ e arsimor për nxënësit tanë.

Tendencat e këtilla të Komunës së Tetovës për të minuar dhe anashkaluar autoritetin tim si drejtoreshë e shkollës dhe duke i komunikuar mesazhet apo duke deleguar pjesë nga vendimmarrja tek pozitat zëvendëse ose vartëse janë veprime që nuk përputhen as me ligjin, as me misionin tim, as me misionin e shkollës, e as me praktikat normale e logjike të mbarëvajtjes së punës në një institucion ku vendosen themelet për krijimin e të ardhmes duke edukuar e aftësuar fëmijët tanë.

Vonesat dhe pengesat në sigurimin e materialeve të nevojshme për vijim normal të procesit mësimor dhe punës në përgjithësi janë të pakuptueshme, sidomos kur ka indikacione se këto vonesa bëhen për të gjetur “tenderuesin që i përshtatet” dikujt me lidhje direkte në Komunën e Tetovës.

Këto probleme (ndër të tjera) janë arsyet që më shtyjnë mua si ushtruese detyre drejtoreshë e shkollës fillore komunale “Istikball” t’a paraqes dhe t’a bëj publike DORËHEQJEN TIME TË PAREVOKUESHME NGA POZICIONI U.D. DREJTORESHË. I takon inspektoratit arsimor që në të ardhmen t’i bëjë publike iniciativat e mia ligjore të dorëzuara deri tek Komisioni Disiplinor.

Baby Boo