Kritika për interes personal


Shkruan: Xhelal NEZIRI

Kritika ndaj pushtetit dhe qendrave të fuqisë politike është e shëndetshme, në radhë të parë, për vetë ato. Nga kritikat mund të merret orientimi i duhur në politikë, kufijtë e manovrave majtas-djathtas, të mësohet shpejtësia e nevojshme e lëvizjes drejt qëllimit dhe të detektohen pjesët jofunksionale të makinerisë politike.

Burrështetasi britanik i Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill, ka thënë se kritika për politikën është si dhimbja në trupin e njeriut – sado e pakëndshme që është, dhimbja është e dobishme pasi alarmon se një pjesë e trupit nuk funksionon si duhet.

Kritika bëhet kur kemi të bëjmë me devijim nga principet, normat apo etikën e funksionimit të një shoqërie, komuniteti apo shteti. E njëjta ka për qëllim esullimin e atyre që kanë marrë fuqinë e legjitimitetit duke propaganduar qëllime dhe parime, të cilat i harrojnë apo shkelin për interesat e tyre personale. Pra, kur kemi të bëjmë me shitjen e idealit të përgjithshëm për përfitime personale apo klanore.

Por, ka një dukuri që e dobëson fuqinë e kritikës. E devalvon duke e bërë joefikase dhe të neveritshme. E bën kritikën më të gërditshme se vetë devijimet e politikës. E shndërron në një zhurmë shurdhuese dhe të bezdisshme. Kjo dukuri është kritika e udhëhequr nga interesi personal.

Kjo lloj kritike është shumë më e dëmshme sesa veprimi i devijuar që kritikohet. Ajo nuk ka peshë pasi vjen nga njerëz që kanë heshtur në kohët kur është dashur të jenë të zëshëm për shkak të përfitimit që kanë pasur nga heshtja. E bëhen të zëshëm, pra kritikojnë, vetëm kur e shohin se u është ndalur rrjedhja e parave në llogaritë personale.

Ky aktivizim i tyre është emotiv, i egër dhe pa limit. Këtu më nuk bëhet fjalë më për kritikë, por për tentim për asgjësimin e atij politikani apo partie politike që nuk i ka kënaqur apetitet e këtyre njerëzve. Ato bëhen agresivë, të pakënaqur nga të gjithë ato që nuk janë në horizontin e tij të përfitimit egoist. Bëhen nihilistë, jotolerantë ndaj mendimit ndryshe dhe kërkojnë nga rrethi të vihet në shërbim të kauzës së tij, e promovuar si e një rëndësie të madhe për shoqërinë.

I gjithë ky frustrim i këtyre personave apo klaneve shfaqet në formën e kritikës me tendencë asgjësuese personale, e jo me qëllimin e përmirësimit të situatës politike. Dhe i njëjti përfundon kur personi/klani të marrë shpërblimin e kërkuar në formë pushteti, kandidature, funksioni, tenderi apo rehatimi.

Këto kritika egocentrike dhe jo të sinqerta, në fakt, janë virusi më i rrezikshëm për debatin publik dhe demokracinë. Në këtë mënyrë kritikat përgjithësohen si shantazhe për përfitime personale/klanore, si kërkesë shpërblimi për një një gurë të hedhur në protestë apo si hakmarrje për mosdhënien e një funksioni të dëshiruar.

Politikani amerikan i viteve të 20-ta të shekullit të kaluar, Frank A. Clark, thotë se kritika duhet t’u ngjajë goditjeve të pikave të shiut mbi trungun e një peme të njomë – ta ujit atë, por pa ia dëmtuar gjethet apo rrënjët.

Tani kur kemi afër një zgjidhje për emrin del në pah kjo kritikë e interesit personal, e kamufluar si e interesit të përgjithshëm. Nëse je pjesë e qeverisë, e tryezës së begatë të pushtetit, atëherë i përkrhah edhe propozimet. Nëse je jashtë, i hedh poshtë pa ndonjë analizë më të detajuar. Vendime që, edhe në rastin e parë a sidomos në të dytin, bazohen në butësinë e kolltukut e jo fuqinë e argumentit.

Në kohën e lajmeve të rrejshme dhe portaleve fantome, kritika që buron nga egoja është një tjetër dukuri e padukshme, por njëjtë e rrezikshme për demokracinë. Edhe ky problem është çështje e etikës dhe nuk mund të rregullohet me ligj. Fatkeqësisht! /KDPolitik.com/

Baby Boo