Kovaçevski: “Me Bullgarinë duhet zgjidhje e shpejtë, por jo çfarëdo zgjidhjeje” (VIDEO)


Qeveritë e reja në Shkup dhe Sofje e kanë nisur mbarë procesin e tejkalimit të problemit dypalësh që po pengon integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kështu thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për MIA-n, pas vizitës së tij dyditore në Bruksel. Kovaçevski thotë se Maqedonisë së Veriut i duhet një zgjidhje sa më e shpejtë, por jo edhe çfarëdo zgjidhje që do të dëmtojë interesat e shtetit.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Unë them se na duhet zgjidhje e shpejtë duke marrë parasysh se e kemi merituar hapjen e bisedimeve me BE-në, por sigurisht se nuk na duhet zgjidhje e përshpejtuar sepse zgjidhja që do të arrihet duhet të jetë bazë për ardhmërinë para nesh si për marrëdhëniet ndërfqinjësore, ashtu edhe për rrjedhën e negociatave dhe anëtarësimin e plotë në BE”

Kryeministri Kovaçevski tha se në takimet e tij në Bruksel me krerët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ka folur për rritjen e mundshme të euroskepticizmit në vend si pasojë e bllokimit të procesit integrues. Përveç kësaj, sipas tij, pritja e gjatë mund të motivojë palë të treta që të provojnë të shtrijnë ndikimin në Ballkan.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Stërzgjatja e cilitdo proces kur keni një qëllim, gjithmonë e ulë përkushtimin e shoqërisë në përgjithësi, këtë e diskutuam edhe me përfaqësuesit e BE-së. Megjithatë vlerësoj se në rastin tonë së pari procesi zgjatë tepër gjatë që sigurisht se mund të shkaktojë skepticizëm te qytetarët, por mund të ngjallë interes edhe tek palët e treta të cilat nuk janë të interesuara që rajoni të jetë plotësisht i integruar në BE”.

Lidhur me çështjen e Ukrainës, Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në agjendën e NATO-s, vendimet dhe interesat e saj. Megjithatë sipas tij, palët duhet të punojnë që përmes dialogut të qetësohet situata dhe të evitohet konflikti në Ukrainë.

Baby Boo