Kovaçevski: “Jemi partner i Evropës, por për gjuhën dhe identitetin nuk negociojmë” (VIDEO)


Kryeministri Dimitar Kovaçevski priti në vizitë zyrtare, të parën në vendin tonë, kryeministren e Finlandës Sana Marin. Temë kryesore e bisedës ishte nisma e Finlandës dhe Suedisë për t’u bërë anëtarë të plotë të Aleancës Veriatlantike NATO. Kryeministri Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut e mbështetë këtë nismë dhe ka autorizuar ambasadorin e vendit në NATO që të nënshkruajë protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë kur të vijë koha. Megjithatë Kovaçevski tha se megjithatë duhet të merren parasysh të gjitha shqetësimet e vendeve anëtare të NATO-s lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I RMV
“Maqedonia e Veriut e përkrah politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Edhe si kryeministër gjatë vizitës sime në NATO hapur e mbështeta nismën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO. Shpresoj të dy vendet sa më shpejtë të bëhen anëtare, edhe pse njëkohësisht duhet të merren parasysh të gjitha shqetësimet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s”.

Kryeministrja finlandeze Sana Marin nga ana tjetër tha se anëtarësimi i tyre në NATO do të jetë shumë e rëndësishme për sigurinë e gjithë kontinentit evropian, por edhe mesazh për Rusinë se ndikimi i tyre nuk ka vend në Evropë.

SANA MARIN, KRYEMINISTRE E FINLANDËS
“Finlanda dhe Suedia duhet së shpejti të bëhemi aleatët tuaj në NATO, që do të jetë shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme edhe për marrëdhëniet bilaterale mes Finlandës dhe Maqedonisë së Veriut. Në kohën kur Rusia po bën luftën brutale ndaj Ukrainës, është e rëndësishme ta themi qartë dhe zëshëm se në Evropën e sotme nuk ka hapësirë për ndikimin rus”.

Dy kryeministrat folën edhe për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, për çka kryeministrja Finlandeze shprehi mbështetjen e plotë për hapjen e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut. /SHENJA/

Baby Boo