Kosovës sërish i kërcënohet bllokada politike


Pozita dhe opozita duhet t’i lënë anash dallimet mes vete dhe përmes diskutimeve të krijojnë konsensus për temat nacionale në të kundërtën, Kuvendi do të ballafaqohet me ngërç politik, vlerësojnë njohësit e punës të legjislativit.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke komentuar mos përfundimin e dy seancave të jashtëzakonshme të mbajtur javën e kaluar, tha se hapja e një seance të re papërfunduar një e nisur më parë nuk është efektive.

“Atë që jemi parë në javët e kaluara është që janë thirrur dy seanca të jashtëzakonshme më pas në pamundësi për të votuar propozimet nga të dyja palët në njërën anë nga opozita dhe pastaj edhe nga pozita është thirrur takimi i kryesisë për tu dakorduar se si të vazhdohet dhe kanë mbetur përgjysmë të dy seancat në fakt nuk është e rekomandueshme që të hapen seancat e reja pa u përmbyllur seancat e kaluara”, tha Krasniqi, në një prononcim për EO.

Javën që lëmë pas, deputetët e Kosovës nuk kanë arritur të përfundojnë dy seanca të jashtëzakonshme.

Njëra e thirrur nga opozita në të cilën do të propozohej një rezolutë për t’ia ndaluar presidentit Hashim Thaçi të diskutojë për kufijtë dhe territorin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Kurse tjetra e thirrur nga koalicioni qeverisës për të formuar ekipin negociator për bisedimet në Bruksel, delegacion ky i cili do të kryesohej nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

Mirëpo sipas Krasniqit, partitë politike duhet urgjentisht që të ulen dhe të dakordohen për pozicionin e Kosovës karshi fazës së fundit të bisedimeve me Serbinë.

“Kjo situatë tregon në fakt që është emergjente nevoja e partive politike për tu ulur dhe diskutuar dhe për të ndërtuar një konsensus politik sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe është më se e nevojshme që ndasitë ditore apo edhe politikat ditore të lihen anash në proces shtetëror”, deklaroi ajo.

“…institucionet e vendit dhe partitë politike duhet patjetër të ulen të diskutojnë dhe të ndërtojnë qëndrimin e shtetit të Kosovës në bisedimet me Serbinë dhe më pas kjo platformë të përkthehet në një rezolutë e cila më pas të votohen edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Mos përfundimi i dy seancave të jashtëzakonshme, për Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” është hyrje në një ngërç politik, i cili mund të tejkalohet vetëm përmes krijimit të konsensusit ose në rast të dështimit të tij me zgjedhje të parakohshme.

“Unë mendoj që faktori politik duhet të ulen së bashku dhe të mundohen të gjejnë kompromise për tema të caktuara nacionale në mënyrë që kuvendi të mos bllokohet dhe të vazhdojë tutje ndërkohë për politika të caktuara për ligje të caktuara”.

“Kjo është mundësia që me kaluar ky ngërç i kuvendit të Kosovës ose e fundit e fundit nëse nuk mundet assesi me kaluar ky ngërç atëherë mundësia e fundit është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai.

Demhasaj është skeptik edhe për fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit.

Ai tha se punimet e Kuvendit mund të bllokohen përsëri nga mungesa e kuorumit apo edhe e votave të mjaftueshme për miratimin e projektligjeve të caktuara.