Kosova, me gjasa reale kësaj radhe për anëtarësim në Interpol


Serbia është zgjuar me raportime nga mediet atje se Beogradi zyrtar është duke u frikësuar se gjasat për pranimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, Interpol, janë të mëdha.

Andaj, sipas tyre, edhe është intensifikuar fushata serbe kundër këtij anëtarësimi, raporton KTV.

Mirëpo, në Ministrinë e Jashtme të Kosovës nuk kanë pranuar të komentojnë këto raportime, e as të flasin nëse janë siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim.

Në një përgjigje të shkurtër, Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Interpol i kontribuon vetëm paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Haxhi Shala, vlerëson se shtetet anëtare të Interpolit janë të interesuara më shumë sesa Kosova, që kjo e fundit të jetë pjesë e Interpolit.

Ai beson se kësaj radhe, Kosova do të jetë pjesë e Interpolit.

Kurse, njohësi i sigurisë, Avni Islami, vlerëson se gjasat për pranimin e Kosovës në Interpol janë reale.

Sipas tij, nga anëtarësimi përfitojnë edhe shtetet e Interpolit, pasi vlerëson se kështu do të rritej efikasiteti në luftimin kriminalitetit.

Islami vlerëson se ka ende hapësirë për vazhdimin e lobimit te vendet anëtare, të cilat kanë dyshime për pranimin e Kosovës.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit zhvillohet nga 18 deri më 21 nëntor të këtij viti në Dubai, ku Kosova synon sërish të bëhet pjesë e saj.

Kosovës i duhet të sigurojë 2/3 e votave të shteteve anëtare që janë të pranishme në Asamblenë së Përgjithshme, ndërsa Interpoli ka gjithsej 190 shtete anëtare.

Baby Boo