Kosova dhe Serbia takohen sot, takimi pjesë e marrëveshjes finale


Kosova dhe Serbia do të takohen sot në nivel ekspertësh në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të mërkurën se në takimin e sotëm ndërmjet grupeve teknike të Kosovës dhe Serbisë do të diskutohet për çështjet e bashkëpunimit ekonomik.

Hoti, një ditë pasi Bashkimi Evropian konfirmoi takimin e 27 gushtit tha se aty do të diskutohet për fazën përfundimtare drejt njohjes së ndërsjellë.
“Nesër diskutimet që bëhen në Bruksel janë pjesë e marrëveshjes finale për njohje reciproke që adresuan në takimin e mëhershëm çështjen e të pagjeturve, dhe nesër do të diskutohen çështjet e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

Bisedimet në nivel të grupeve të ekspertëve pritet të mbahen një javë para takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veselit, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet.

Baby Boo