Konjufca: Kërkojmë fuqishëm nga ShBA dhe BE ta dënojnë Serbinë


Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka dënuar kidnapimin e tre policëve kufitarë të Kosovës nga xhandarmeria serbe në fshatin Bare të Leposaviqit.
Në një postim në Facebook, Konjufca ka kërkuar menjëherë nga ndërkombëtarët që ta dënojnë Serbinë për këtë akt agresioni ndaj Kosovës.
“Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, ka shkruar Konjufca.
Kryeparlamentari ka theksuar se me këto veprime, po shihet qartë se kush po dëshiron tension.
“Ky akt i cënimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”, tha ai.
“Me këtë akt, Serbia në mënyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel”, ka shkruar ai.

Baby Boo