Komunikacioni në Tetovë, Qamili: Kemi shtuar patrullat dhe merimangat


Numri i të gjobiturve për kunvdërvajtje dhe keqparkim në qytetin e Tetovës është rritur, bëjnë me dije nga Stacioni policor për siguri në komunikacion. Zëvendës komandanti nga ky sektor, Besir Qamili, thekson se për këtë shkak ka qenë e nevojshme shtimi i patrullave në komunikacion dhe vënia në funksion e një tjetër merimange për ngritjen e veturave.

Në komunën e Tetovës, javëve të fundit është rritur përforcimi i kontrollit gjatë procesit të vozitjes dhe parkimit të veturave. Zëvendës komandanti i Policisë Rrugore – Tetovë, Besir Qamili, thekson se nga stacioni policor për sigurinë në komunikacion në kontinuitet po marrin masa që kaosi në komunikacion të zgjidhet. I pyetur rreth asaj se çfarë po ndodh me kërkesën për hapjen e parkingjeve të reja, Qamili thekson se i përket komunës të merret me këtë problem megjithatë ai thekson se sëbashku kanë një strategji se si të lirojnë komunikacionin në qytet.

‘Është problemi i komunës dhe komuna merret me këtë problem. Ne bashkëpunojmë rregullisht me komunën, dhe normalisht që punojmë në kontinuitet që të minimizohet ky problem.Ne kemi strategji që infrastruktura në qytet të zgjerohet, të hapen rrugë të reja, dhe parkingje të reja. Unë mendoj, vetëm në atë mënyrë do të zvogëlohet komunikacioni në qytet, qyteti do të jetë më i lirshëm në atë moment kur do të ketë vende adekuate për veturat ku mund të parkohen.’-tha për KlanTv, Besir Qamili – Zëvendës komandant i Policisë rrugore.

Ndërkaq, nga komuna e Tetovës theksojnë se kanë dorëzuar kërkesë për zgjerimin e vend-parkimeve në qytet, megjithatë siç shprehen ato, akoma nuk kanë marrë një përgjigje.

Përndryshe, numri i kundërvajtësve në komunikacion në qytetin e Tetovës, e veçanërisht i të miturve që udhëtojnë pa një leje vozitjeje është rritur, njësoj siç është në rritje e sipër numri i personave të cilët keqparkojnë automjetet e tyre. Prandaj, siç theksojnë nga Stacioni Policor për sigurinë në komunikacion, ka qenë i nevojshëm shtimi i patrullave policore në terren dhe poashtu vënia në funksion edhe i një tjetër merimange. Të gjobiturit e kanë për obligim të paguajnë 1000 denarë në rast të bllokimit të veturës nga bllokatorët, ndërkaq në rast të ngritjes me merimangë janë të obliguar të paguajnë plus 500 denarë shtesë.

Baby Boo