Komuna e Gazi Babës refuzon të prononcohet për rastin e gurores


Komuna Gazi Babë e Shkupit refuzon të jap sqarime lidhur me nisjen e punimeve për hapjen e një guroreje mbi fshatin Straçincë të kësaj komune. Edhe pse premtuan se do të jenë të hapur për këtë çështje, nga komuna tashmë tre ditë u shmangen pyetjeve të Alsat-M për të sqaruar dy dokumentet kundërthënëse të cilat i publikoi një ditë më parë kreu i bashkësisë lokale të fshatit, Adnan Ajrullahu. Siç deklaroi Ajrullahu, në afat kohor njëmujor, komuna Gazi Babë fillimisht ka refuzuar iniciativën për ndarje të koncesionit me arsyetimin se punimet gjeologjike dhe gërryerja në këtë pjesë mund të dëmtojë furnizimin me ujë të fshatarëve, ndërkohë që një muaj pas ndryshon mendimin dhe jep leje për ndarje të koncesionit me arsyetimin se nuk dëmton furnizimin më ujë të banorëve.

Ndërkohë, “Melkam Inzhinering”, kompania që ka marrë koncesionin për hapjen e gurores i’u përgjigj pyetjeve të Alsat në formë të shkruar duke sqaruar se i gjithë dokumentacioni i procedurës së marrjes së koncesionit është i plotë dhe i rregullt.

Në bazë të të gjitha vlerësimeve dhe elaborateve ekologjike të kryera në këtë pjesë dhe në bazë të vendimeve të mara nga institucionet kompetente thuhet se nuk ekziston asnjë llojë rreziku ndaj mjedisit jetësor. Gjithashtu, asgjë nuk do të realizohet jashtë standardeve të miratuara me ligj – thonë nga Melkam Inzhinering Doell Shkup.

Gjithashtu, nga kompania në fjalë njoftuan se punimet janë ndërprerë për momentin duke shtuar se do të kërkojnë përgjegjësi për kohën e humbur të kryerjes së punimeve ndërtimore. Madje, nga “Melkam Inzhinering” kërkuan ndihmë publike nga Ministria e Ekonomisë dhe komuna Gazi Babë për zbardhjen e rastit dhe lejimin e vazhdimit të punimeve ndërtimore. Ndërsa, banorët e Straçincës vazhdojnë të mbeten në qëndrimin e tyre se do të bllokojnë hapjen e një guroreje mbi fshatin e tyre.

Melihate Rustemi

Baby Boo