Komiteti i Helsinkit: në vitin 2017 janë shkelur të drejtat e migrantëve

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, në raportin për të drejtat e migrantëve dhe azilkërkuesve në Maqedoni gjatë vitit që lamë pas, ka konstatuar kufizim të padrejtë të lirisë së lëvizjes, trajtim nënçmues dhe degradues dhe fjalor urrejtjeje ndaj emigrantëve.
Nga Komiteti i Helsinkit dolën me rekomandime se si shteti më lehtë të përballet me çështjen e migrantëve sipas standardeve ndërkombëtare.
“Humaniteti i shprehur në letër, nuk funksionon në praktikë. Vitin e kaluar u përballëm me një fushatë të ligë mediatike, me ksenofobi dhe urrejtje”,- tha kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Urania Pirovska.
“Duhet të marrë fund praktika e deportimeve grupore të migrantëve. Në afat sa më të shkurtër duhet të sillet një strategji nacionale për migrantët dhe refugjatët e një ligj për mbrojtje ndërkombëtare dhe mbrojtje të përkohshme, si dhe të vendoset një sistem për regjistrimin e tyre të rregullt dhe në kohë”,- u shpreh Elena Bombeska nga Komiteti i Helsinkit.
Në Maqedoni ka rreth 200 persona në qendrat transitore, por KH potencon se më të rrezikuarit në sferën e shkeljes së të drejtave janë refugjatët që lëvizin përmes rrugëve ilegale.
Komiteti i Helsinkit kërkon më shumë mbrojtje, sidomos për fëmijët e pashoqëruar. Për të gjithë personat që mbeten në territorin e Maqedonisë, shteti duhet të garantojë të drejtën e azilit sipas standardeve ndërkombëtare.
Në raport potencohet se kriza e migrantëve nuk mund të quhet e kaluar, marrë parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë në vendet nga vijnë dhe rrezikun për jetë të emigrantëve që ende janë në kërkim të një jete më të mirë në Europë.