Komandanti i papërlyer Sezai Osmëni dhe “Lulebora” që e ndoqi pas në të gjitha detet


Nga Laureta Petoshati
Para pak ditësh, iku në botën e amshuar një ish ushtarak, i cili njihej në Vlorë dhe më gjerë, jo vetëm për karrierën e tij ushtarake, por dhe për veshjen e tij pothuajse tërë kohën me të bardha. Unë e kam njohur qysh herët Komandantin e Shkollës së Lartë të Oficerëve të FLD (Akademia e Detarisë), për shkak se familja ime, jo tashmë, por me shekuj ka qenë familje ushtarakësh dhe ai ishte mik me tim atë e me kushërinjtë tij, sidomos me Kapitenin e Rangut të Parë Bektash Petoshati, të cilit i kishte lënë si detyrë që të mbante fjalimin ditën e ikjes, por që nuk ndodhi për shkak të epidemisë. Por kur punoja te gazeta “Vlora” nga viti 2005 – 2007, ai vinte shpesh te redaksia për shkrime të ndryshme, por më shumë dhe për faktin se pronari i gazetës, Agron Brataj (vëllai i Dr. Skënder Brataj Drejtorit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore) ishte nga Kanina si dhe ai. Komandanti, kur donte të mbulonte ndonjë aktivitet ose në Kaninë, ose të ish ushtarakëve, kërkonte mua. Një nga këto ishte dhe ajo në shtatorin e vitit 2007, kur rreth 30 ushtarakë në pension e në shërbim, do të niseshin herët nga Vlora për në Spile të Himarës për t’i bërë homazh ushtarakut të Flotës Luftarake Detare dhe ish pedagog në Akademinë e Lartë të Detarisë në Vlorë, Kapitenit të Rangut III, Aleko Stoli,që prej një viti nuk ndodhej më në jetë. Interesant ishte fakti se në Himarë, grupit të ushtarakëve iu bashkua dhe Lefter Çipa, madje ai e priti grupin si mik i Alekos, bashkë me të birin e tij, Arjan Stoli. Aty mora vesh se Aleko Stoli, ishte jo vetëm një dashamirës i këngës, por dhe një këngëtar shumë i zoti, i cili Këngët “Vajzë e valëve”, “Kush është lule e vilajetit” dhe “Erdhi prilli shkriu bora majave”, që ishin më të preferuarat e tij, i këndonte në mënyrë të magjishme. Ato i këndonte edhe në Split të Kroacisë, edhe në Baku në BRSS, ai ishte marrësi i tyre, kthyes ishte gjithmonë Sami Sinani nga Tepelena. Unë natyrisht, të gjitha këto gjëra i shkrova në reportazhin që e botova edhe te gazeta “Ndryshe” në Tiranë. Por më të bukurat ishin ato, që dëgjova kur u ulëm te lokali buzë detit dhe pyeta se vetëm labçe këndonit në Baku e Split?! Përgjigja nga Sezai Osmëni ishte që këndonim dhe këngë të tjera, kërcenin vals dhe një nga këta që e kërcente valsin sikur fluturonte ishte Aleko Stoli, i cili kishte ca sy bojëqielli të spikatur dhe një trup të skalitur prej notari. Këngët e tjera që këndonin ishin këngët e Tefta Tashko Koços, derisa një ditë në Split të Kroacisë dëgjuan nga një malazez një këngë shqiptare dhe ishin mahnitur. Ajo këngë do ti ndiqte pas në të gjitha detet të 25 ish “Skënderbegasit”, ndërmjet të cilëve Aleko Stoli, Sezai Osmëni, Izet Velçani, Qemal Hysi e shumë të tjerë, që më 1 shtator 1947 deri në korrik 1948 kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, shkuan në Divulje, qytezë në veri të Splitit-Kroaci për të studiuar në Akademinë e Detarisë. Dhe ajo ishte kënga “Luleborë”. E lehtë për tu kapur dhe e bukur për tu kënduar, ajo ishte hyjnore për ata djem beqarë e të pashëm, që krenoheshin me një këngë, e cila paraqiste sa të bukura ishin dhe vajzat shqiptare. Komandant Sezai Osmëni tregonte se në vitet 1948-1952, kohë gjatë së cilës studiuan në Akademinë e Lartë të Detarisë në Baku-Azerbajxhan të BRSS, i ndoqi pas “Vajzë e Valëve” dhe “ Lulebora”. Të dyja flisnin për pritjen. E para për pritjen e vajzës, e dyta për pritjen e djalit. Një mrekulli. Këngët polifonike ishte e vështirë që të këndoheshin nga të huajt, ndërsa “Lulebora” sikur përthithej. Rusi, që merrej me kulturën masive në ushtri, e këndonte “Garcencija”-n shqiptare me ballallankë në lundrimet nëpër detin Kaspik e ajo aq hyjnore ishte sikur zbardhte valët e pushonte dallgët. Unë atë ditë nuk e zgjata shumë muhabetin e këngëve, se natyrisht kishim shkuar për homazh e Komandanti i Rangut I Artur Meçollari, në atë kohë ishte komandanti aktual i Flotiljes në Pashaliman mbajti një fjalim përshëndetës dhe i dhuroi familjes Stoli, maketin e dragaminës bazë ku ai kishte qenë komandant i saj. Por mbi të gjitha, Lefter Çipa tregoi bukurinë e këngëve të Neço Mukës, e sidomos tekstin e “Moj korçare sa e bukur je” dhe sesi kishte gjetur dhe pllakat e gramafonit që i kishin incizuar në Francë. Të them të drejtën, unë jam habitur me çfarë pasioni flisnin këta njerëz të detit për këngën, për librat, për artin. Njohuritë e tyre nuk i kanë shumë njerëz të artit sot. Të mendosh pak, ashtu siç tregonin ata, kishin dalë nga lufta dhe të varfër dhe kishin shkuar në vende të huaja, ku kishin mësuar profesion dhe kulturë, por mbi të gjitha dhe solidaritet njerëzor me njerëz të kombeve të ndryshme, me të cilët, ndanin fjetoren, bukën, por dhe këngën, poezinë, librat. Në ditët më vonë, ngaqë nuk e mbaja mend emrin e veglës muzikore ruse, kur e takova komandant Sezaiun, në një aktivitet te Akademia e Marinës, ku ishte i shoqëruar me dy ish ushtarakë të tjerë të Detarisë, Kasëm Spahiun dhe Halil Lelin (i ati i Kryetarit të Bashkisë Vlorë Dritan Leli), e pyeta edhe një herë. Madje e shkrova :“Ballallankë”. Po habitesha se si komandant Sezaiu nuk nxori asnjë nga fëmijët artist, por matematicienë. Ai është i ati i pedagoges së matematikës në Universitetin e Tiranës, Flora Osmëni, dhe i profesorit të matematikës të Shkollës së Muzikës “Naim Frashëri” Vlorë, Fatos Osmëni. Në fakt, këtë gjë, sipas Komandant Halil Lelit, e bëri një ish student shqiptar i Universitetit të Leningradit, Pelivan Minga( i biri i rapsodit të famshëm Selim Hasani), i cili pati mbaruar atje në Fakultetin e Filozofisë dhe Psikologjisë me medalje të Artë dhe e mbajtën pedagog. Por ai, më vonë u kthye në Vlorë dhe me shprehjen e Dostojevskit te romani “Idioti” se “ E bukura do të shpëtojë botën”, arriti tu mbushë mendjen udhëheqësve të kohës që të hapej në Vlorë edhe një lice arti, që është shkolla “Naim Frashëri”, ku ai ishte drejtues i saj derisa doli në pension dhe kur nuk po fuste njeri vajza në flaut, vendosi vajzën e tij, flautisten Mimoza Minga. Kështu Vlora ishte bërë si Leningradi me shumë shkolla ushtarake dhe një shkollë arti, vec asaj mjekësore, thoshte Zamira Mati, gruaja e ish admiralit Abdi Mati, e cila ishte pjesëmarrëse në aktivitetin te Shkolla e Marinës dhe iu bashkua grupit ku ishte komandant Sezaiu, pasi dhe ajo ishte me origjinë nga Kanina, pra patriote me të.

Baby Boo