Katër vajzat kosovare që shkëlqyen në “Miss Universe”


Miss Universi është ndër spektaklet më të mëdha të bukurisë që organizohen në botë. Në vitin 1996, kjo garë bukurie u udhëhoq nga presidenti i sotëm amerikan, Donald Trump, dhe dy kompani të tjera.

Kosova merr pjesë në Miss Universe që nga viti 2008 dhe në debutimin e saj arriti suksesin që nuk u prit.

Bukuroshja Zana Krasniqi e kishte përfaqësuar Kosovën për herë të parë në “Miss Universe”.

Zana Krasniqi kishte marrë kurorën e më të bukurës kosovare në vitin 2008, duke përfaqësuar Kosovën në Miss Universe për herë të parë me një sukses të jashtëzakonshëm, pasi kishte hyrë në mesin e 10 femrave më të bukura të universit, në spektaklin që atë vit u mbajt në Vietnam. Sipas pikëve të mbledhura, Zana zuri vendin e gjashtë.

Zana Krasniqi është një modele nga Kosova që u zbulua nga fotografi kosovar Fadil Berisha. Pas shpalljes së pavarësisë, Berisha përdori kontaktet e tij me organizatën e Miss Universe për t’i mundësuar Kosovës të marrë pjesë për herë të parë në këtë garë bukurie.

Meqë Vietnami nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Zanës fillimisht në atë kohë iu refuzua viza për në këtë shtet. Me të mësuar këtë Fadil Berisha kontaktoi autoritete shqiptare që lëshuan një pasaportë shqiptare.

Më pas, Zana është zhvendosur me banim në Amerikë, ku dhe punoi si modele, pasi firmosi një kontratë me kompaninë e njohur të modelingut “Wihelmina Models”.

Mjaftoi viti tjetër që Kosova të jetë shumë afër fitores në Miss Universe. Marigona Dragusha doli përcjellësja e dytë në Miss Universe 2009, në një garë me 84 pjesëmarrëse dhe ku fitoi vajza nga Venezuela. Marigona u fut në pesë vajzat më të bukura por doli në vendin e tretë, si përcjellësja e dytë e fitueses. Marigona asokohe ishte 18-vjeçare, ndërsa nga ajo kohë ajo jeton në Amerikë.

Afërdita Dreshaj, një emër i njohur në Kosovë në sferën e modelimit por edhe muzikës, përfaqësoi Kosovën në Miss Universe 2011 dhe u radhit në mesin e gjashtëmbëdhjetë vajzave më të bukura. Dreshaj gjithashtu ka konkurruar në spektaklin e bukurisë Miss Shqipëria 2007, ku fitoi çmimin e dytë.

Kosovarja Diana Avdiu mori pjesë në vitin 2012 në Miss Universe dhe përveç se u shpall Miss Fotogjenia, ajo u radhit në mesin e gjashtëmbëdhjetë vajzave më të bukura, nga gjithsej 89 vajza që garuan. Diana ishte vetëm 19-vjeçare, ndërsa mori pjesë në këtë garë, pasi kishte fituar disa konkurse bukurie në Kosovë.

Baby Boo