Katër mjekë e infermierë të Podujevës do t’i nënshtrohen testit, pacientët e prekur nga COVID 19 janë liruar në shtëpi


Katër mjekë e infermierë të Podujevës do t’i nënshtrohen testit, pacientët e prekur nga COVID 19 janë liruar në shtëpi.

Dy mjekë dhe dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë pritet që të testohen nesër, meqenëse dyshohet se kanë pasur kontakt me të infektuarit nga kjo komunë. Ndërkohë, dy pacientët e tjerë që kanë qenë të infektuar me COVID-19 nga kjo komunë janë liruar për në shtëpi, njëri prej të cilëve është shëruar plotësisht.

Lajmin e ka konfirmuar specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent në këtë komunë.

Rama ka thënë se mjekët e infermierët që do të testohen nesër kanë qenë të izoluar qe disa ditë.

“Raste të reja të dyshuara nuk kemi. Ata dy të infektuarit që kanë qenë njëri nga Dumnica e tjetra nga Bradashi, janë liruar për në shtëpi. Ky nga Dumnica është shëruar plotësisht, ndërsa motra e tij pritet që të testohet edhe njëherë mbas 1 jave. Nesër vjen Instituti me i marr mostrat edhe për katër mjekë e infermierë, të cilët kanë qëne të izoluar. Nuk janë në rrezik po që duhet me ua bë testet me u siguru”, ka thënë Rama për Express

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar shtatë raste të reja me koronavirus në Malishevë.

Sipas IKPSHK-së, të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetizolim. Me këto shifra numri i të prekurve në Kosovë kap shifrën 86.

“Sonte më 26.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar edhe 25 mostra nga Malisheva prej të cilëve 7 rezultuan pozitive. Të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetizolim”, njoftoi IKSHP-ja. / Express

Baby Boo