Katër ministra në Japoni japin dorëheqje pas skandalit për korrupsion


Katër ministra të qeverisë në Japoni dhanë dorëheqjen të enjten pas skandalit për mbledhjen e fondeve që përfshin fraksionin më të fuqishëm të partisë në pushtet, shkruan BBC.

Më shumë se 3 milionë euro supozohet se kanë përfunduar në këto fonde gjatë një periudhe pesëvjeçare deri në vitin 2022.

Prokurorët e Tokios kanë nisur hetim për korrupsion.

Është goditja më e fundit për qeverinë gjithnjë e më jopopullore të kryeministrit japonez Fumio Kishida.

Mbështetja publike për Partinë Liberale Demokratike (LDP), e cila ka qenë në pushtet pothuajse vazhdimisht që nga viti 1955, ra nën 30% për herë të parë që nga viti 2012, tregoi një sondazh i NHK të martën.

Votuesit janë zemëruar nga inflacioni, si dhe nga trajtimi i skandaleve të mëparshme nga Kishid

Shefi i kabinetit dhe zëdhënësi i lartë i qeverisë, Hirokazu Matsuno, i parë shpesh si dora e djathtë e Kishidas dhe fytyra e qeverisë së tij, ishte më i shquari nga katër ministrat e dorëhequr. Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Yasutoshi Nishimura, ministri i Punëve të Brendshme, Junji Suzuki dhe ministri i Bujqësisë, Ichiro Miyashita gjithashtu dhanë dorëheqjen të enjten.

Zëvendësuesit e tyre pritet të bëhen të ditur deri në fund të ditës.

Përveç kësaj, pesë zëvendësministra të lartë dhe një zëvendësministër parlamentar nga i njëjti fraksion, i udhëhequr më parë nga kryeministri i ndjerë Shinzo Abe, gjithashtu dhanë dorëheqjen.

Dorëheqjet masive tani e lënë LDP-në në situatë të pazakontë me mungesë të përfaqësuesve në fraksionin më të madh dhe më të fuqishëm brenda kabinetit qeveritar.

Baby Boo