Erdogan: Turqia, e gatshme për çdo lloj ndërmjetësimi mes Izraelit dhe Palestinës


Ankaraja është e gatshme të luajë rolin e ndërmjetësit në tensionin aktual izraelito-palestinez, tha të hënën presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Dëshiroj të them se Turqia është e gatshme për çdo lloj ndërmjetësimi, përfshirë edhe shkëmbimin e të burgosurve, nëse palët e kërkojnë këtë,” tha ai.

Presidenti turk tha se vendi i tij gjithashtu i bën thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet e tij ndaj tokave palestineze dhe palestinezëve u bëri thirrje të ndalojnë ngacmimet ndaj vendbanimeve civile në Izrael.

Shkatërrimi i Gazës nga sulmet ajrore dhe tokësore, bombardimi i xhamive dhe vrasja e fëmijëve, grave, të moshuarve dhe civilëve të pafajshëm nuk janë të pranueshme”, tha Erdogan,

Ai njoftoi se Turqia po ashtu po bën përgatitjet e nevojshme për të furnizuar me ndihma humanitare që do t’i nevojiten njerëzve në Rripin e Gazës, duke iu referuar shkatërrimit nga sulmet ajrore izraelite dhe shkatërrimit të infrastrukturës atje.

“Ne besojmë se nuk do të ketë paqe në rajon pa krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës me integritet gjeografik, brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet”, theksoi presidenti turk.

Ankaraja mbështet fuqishëm një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë, përfshirë krijimin e një shteti palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Më herët, presidenti Erdogan zhvilloi telefonata të ndara me homologun e tij palestinez, Mahmoud Abbas dhe atë izraelit, Isaac Herzog, për të diskutuar situatën e fundit në rajon.

Baby Boo