Kashmir, refuzohet propozimi për armëpushim gjatë Ramazanit


Një ditë pas propozimit të shefit të ministrave pro-Indi për Jammu dhe Kashmir, Mehbooba Mufti, në të cilin kërkoi nga kryeministri i Indisë, Narendra Modi të shpallë një armëpushim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, ka reaguar partneri i tij i koalicionit partia Bhartiya Janata, (BJP), duke hedhur poshtë një propozim të tillë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nuk duam një armëpushim të njëanshëm”, deklaroi zëdhënësi i BJP-së, Arun Gupta.

Në konferencën për mediat, ai sqaroi se nuk dëshirojnë t’u japin kohë militantëve për t’u furnizuar me gjërat e nevojshme.

Të mërkurën, Mehbooba Mufti kryesoi një takim me përfaqësuesit e të gjitha partive politike, pas çka u tha gazetarëve se një armëpushim do të lehtësonte jetën e banorëve, duke ndihmuar njëkohësisht drejt krijimit të një atmosfere më të relaksuar në rajon.

“Të gjithë pjesëmarrësit e takimit u pajtuan se duhet kërkuar nga Qendra një armëpushim të njëanshëm gjatë Ramazanit dhe kremtës Amarnath Yatra (pelegrinazhi vjetor hindu)”, tha ai.

Ky vit ka qenë i përgjakshëm për Kashmirin, pasi rezultoi me 36 civilë, mbi 60 militantë dhe 14 ushtarë indianë të vrarë në operacionin e ushtrisë kundër militantëve në pjesën jugore të Kashmirit.

Vrasja e militantëve, çdo herë ka çuar në protesta civile në të cilat ushtria e Indisë kundërpërgjigjet me të shtëna. Departamenti i Shëndetit thotë se vetëm gjatë muajit prill, mbi 300 persona kanë mbetur të verbër ose kanë humbur njërën nga gjymtyrët.

Kashmiri, që është një rajon i Himalajeve me shumicë muslimane, mbahet nën kontrollin e Indisë dhe Pakistani, dhe të dy shtetet pretendojnë tërësinë e tij.

Një pjesë e vogël e Kashmirit kontrollohet nga Kina. Që kur u ndanë në vitin 1947, Pakistani dhe India kanë luftuar tre luftëra, në vitin 1948, 1965 dhe 1971, dy prej tyre mbi Kashmirin.

Baby Boo