Kasami: Borxhin e Komunës e ulëm për 4 milion euro


Borxhi i Komunës së Tetovës është zvogëluar për katër milionë euro dhe është aktualisht rreth 20 milionë euro. Kështu deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës sonte në emisionin “200” në AlsatM. Me këtë qytetarët mësuan një informatë konkrete për borxhin vetëm dhjetë muaj pasi u publikua borxhi prej 24 milionësh.

I pyetur për atë se a është zvogëluar apo rritur borxhi, Kasami u deklarua kështu:

“Sa i përket borxhit ne jemi në konsultime, konkretisht me institucione ndërkombëtare relevate të cilat merren me matjen e transparencës dhe llogaridhënies së komunave, që kur të dalim me publikimin e borxhit publik…Nuk është përgjysmuar, është rreth 20 milionë euro pra nga 24 milionë. Borxhi aktual i komunës së Tetovës bashkë me institucionet tjera dhe ndërmarrjet komunale është rreth 20 milionë euro”.

Kasami përmendi se Komuna është më transparente nga kur ai ka ardhur në krye të saj. Mirëpo, nga kjo komunë edhe pse shpesh të pyetur nga Portalb.mk për shumën e të borxhit, nuk janë përgjigjur, duke vënë në pikëpyetje transparencën.

Pikërisht për këtë çështje Portalb.mk me 11 shtator në Komunë përmes Ligjit për qasje në informata të karakterit publik ka kërkuar situatën faktike me borxhin dhe raport të detajuar për të njëjtin, përgjigja e të cilit pritet ditëve në vijim.

Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës kur u publikua në fund të muajit nëntor 2021 ishte mbi 24 milionë euro, prej të cilave Komuna me mbi 14 milionë euro, NPK “Tetova” mbi 9.6 milionë euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

Baby Boo