Kaosi në trafik përditshmëri në Çair: Parkingjet në kate, ende larg!


Nga të gjitha vendbanimet me popullsi shumicë shqiptare, Komuna e Çairit ka qenë ndër komunat e vetme ku ka pasur platformë ose më mirë ta themi program zgjedhor të veçantë të vitit 2017, e ashtuquajtura “Kontrata”. Kryetari Visar Ganiu i zgjedhur edhe për një mandat të dytë, në mandatin e kaluar premtoj mega projektet e tij që ndër to ishin edhe parkingjet në kate në të cilën kishte parashikuar një buxhet prej 1.156.293.957 denarë për ndërtimin e 4 garazheve në kate në territorin e kësaj komune.

Ky premtim i kryetarit Ganiu në theks të veçantë e kishte zgjidhjet e kaosit të shkaktuar si pasojë e komunikacionit të madh në territorin e Komunës së Çairit, por edhe problemet e tjera të bllokimit të rrugëve që zaptohen nga automjetet e ndryshme, që sipas informacioneve jo zyrtare thuhet që hapësirat e lira shfrytëzohen edhe si parkingje private.

Nga Komuna e Çairit thonë se janë duke punuar me intensitet të lartë, që ndërtimi i garazheve në kate të fillojë sa më parë, por nuk japin datë kohore se kur do të arrihet implementimi i tyre. “Ekipet tona bashkë me ekipet e kompanisë Mabetex janë duke u takuar vazhdimisht dhe duke punuar me intensitet të lartë për ndërtimin e garazheve, që do të jenë nëntokësore dhe me kate. Dhe ajo që mund t’ju japim si informacionin më të ri është se për momentin po përgatitet dokumentacioni për aplikim”, deklarojnë nga kjo komunë.

Ndërkaq, Fatih Qaili nga partia opozitare, Aleanca për Shqiptarët, me pesimizëm thotë se ndërtimi i parkingjeve apo garazheve në kate mbetet vetëm fjalë por jo edhe punë. Sipas tij administrata aktuale e komunës nuk ka kapacitet që të marrin një iniciativë të atillë. “Garazhet në kate me këtë administratë të komunës nuk ka gjasa të ndërtohen, ju e dini se kryetari aktual i Komunës së Çairit, në mandatin e parë të tij kishte premtuar 4 garazhe në kate dhe asnjë nuk arriti ta ndërtoj. Tani ka premtuar 12 garazhe në kate dhe siç shihet po edhe nga përvoja nga katër vitet e kaluara, nuk besojmë se do të ndërtohen ata garazhe, pos kësaj, vendet ku janë planifikuar të ndërtohen garazhet, shfrytëzohen si parkingje ilegale nga njerëz të afërt me partinë e kryetarit të komunës”, thekson Qaili.

Gjatë kohës së fushatës zgjedhore, kryetari aktual i Komunës, Visar Ganiu, shkroi një marrëveshje me kompaninë Mabetex për ndërtimin e 12 garazheve nëntokësore dhe në kate në Çair, investim ky në vlerë prej 50 milionë euro që përfshinë 3000 vend-parkingje në shumë lokacione të komunës së Çairit. Qytetarët e kësaj komune vazhdimisht po ankohen për kaosin e automjeteve, sidomos në zonat e vendbanimeve dhe të tregjeve, ku shumica e tyre nuk kanë vende ku të mund t’i parkojnë makinat dhe kjo bën që në vazhdimësi të ketë grumbullim dhe bllokim të rrugëve, gjë e cila pamundëson komunikacionin e lirë dhe të sigurt në pjesë të ndryshme të komunës.

Baby Boo