Ka jetë pas pandemisë!


Në këtë kohë pandemie dhe infodemie, njerëzit janë nën presion real të situatës por sidomos nën presionin fiktiv të saj. Konstatohet trishtueshëm se më shumë se mbrojtje, në shoqëri është krijuar panik!

Ky i fundit mund të rreshtohet si një armiqtë më të mëdhenj të njerëzimit. Paradoksi ndërkohë vazhdon edhe me një grup tjetër qytetarësh, falë Zotit ende të shëndetshëm, që enden rrugëve aq të pakujdesur, duke injoruar çdo masë të diktuar nga autoritetet, sa pa më të voglin dyshim mund të quhen si shkaktarë të bllokimit të jetës, si aleatë të virusit! Duke kërkuar lirinë e jetës para pandemisë ata nuk kuptojnë se zgjasin më shumë këtë gjendje gati paralitike që ka kapluar botën.

Disa të tjerë pastaj qëndrimin në shtëpi e përjetojnë si fshehje duke shkaktuar ankth fare të panevojshëm dhe aspak të bazuar në fakte! Natyra dramatike e njeriut bën që të fokusohet tek humbjet, tek vdekjet pra, kjo është një prirje krejt normale për të gjithë ata që janë tashmë skllave të infodemisë nga ku po fluturojnë shifra e lajme nga më të pabesueshmet, me qëllim sa më shumë klikime! Janë për t’u lavdëruar ata gazetarë që nuk kanë rënë prè e kësaj fushate të shëmtuar mbarëglobale që po ndodh me mediat.

Është heroizëm puna e shumë gazetarëve që japin lajme apo përgatisin emisione në TV për të ndihmuar qytetarët në këtë kohë krize, por është shumë e ulët për të gjithë ata veta që e kanë quajtur veten gazetar dhe kënaqen duke botuar tmerre e lemerira, shumica të pavërteta! Nëse janë kaq të ndjeshëm këta gazetarë pse nuk shkruajnë për viktimat e urisë që janë shumë më shumë se sa ato të COVID-19-ës? Pse nuk sensibilizojnë për të fëmijët që vriten me qindra e mijëra sot në botë?! Asnjë vdekje nuk është e mirë, por nga eksperienca si mjek kam mësuar se nuk ndihmon kurrë t’i rrish vdekjes në kokë!

A e mendon njeri se çfarë ngarkese psiko-emocionale është për një mjek sot puna në repartet e COVID-19?! Nëse secili nga ata do të përqëndrohej tek vdekja, ka shumë mundësi që pas vdekjes së pacientit të parë, askush mos shkonte më në punë! Ndërkohë edhe disa institucione të tjera që sot janë caktuar për të mbuluar krizën janë duke thyer kode të rëndësishme morale! Raportojnë për të vdekurit në rrugë tepër eksplicite, duke thyer kodet e nderit e respektit që duhet pasur për viktimat e kësaj sëmundje e sidomos për të gjallët që janë familjarët e tyre!

I flasin me detaje numerike, duke mos harruar të qartësojnë moshën e tyre, gjendjen e tyre klinike, por harrojnë të ngushëllojnë familjarët e tyre! Me trishtim e dhimbje është për t’u ndarë çdo humbje me familjet që goditen. Nuk ka vdekja të lehta, çdo vdekje dhemb ndaj ngushëllime të gjithë atyre familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga ky virus!

Ndërkohë nuk duhet defokusuar, e shpjeguam më sipër se është normale që natyra njerëzore të tërhiqet më shumë nga ngjarjet që i shkaktojnë frikë, ankth, panik, por nga ana tjetër mos bini në këtë kurth! Nuk është rasti për asnjë lloj paniku! Kujdesuni! Kjo është obligative! Rrini sa më shumë në shtëpi! Kjo duhet të jetë madje kënaqësi!

Besoni dhe jini të sigurt që kjo situatë do të mbarojë shumë shpejt, që ndoshta jeta e re që do të vij do të jetë më e varfër se ajo që kishim por shpresoj ne do dimë të jemi më të lumtur, më të mençur…shpresoj! Por një gjë as nuk duhet diskutuar: nuk janë ditët e fundit të jetës në Tokë! Nuk është as Apokalipsi! Është një pandemitë e radhës që goditi njerëzimin në një moment ku ata ishin të papërgatitur për t’u rikthyer në familje… i gjeti të zhytur në vetminë e industrisë, llafazan e trima virtual, të heshtur e frikacak në realitet!

Mos kini frikë se shumë shpejt do mbarojë e gjitha kjo! Uroni që kur të dalim prapë në rrugë të mirët të jenë shumica, makinat të përdoren shumë më pak, shtëpia të frekuentohet më shumë se vendi i punës apo lokalet, celularët të mbahen më shumë në xhep se sa në duar, dhe Respekti për njëri-tjetrin të bëhet pandemia e radhës!

Baby Boo