Ka filluar fushata zgjedhore në Maqedoni, të gjitha partitë të bindura në fitore


Në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, fushatë e cila zgjat 20 ditë. Partitë i kanë promovuar kandidatët e tyre për kryetarë të komunave dhe të gjithë janë të bindur në fitore.
Me sloganin “Më e mira për komunën time”, LSDM e filloi fushatën në Manastir ku kryetari i partisë, Zoran Zaev, premtoi se qytetarët do të jenë krenar me kryetarin e ri të Manastirit.

OBRM-PDUKM, e filloi fushatën me premtim bombastik për 14.835 projekte nga fushat e ndryshme, për siç tha kryetari kësaj partie, Hristijan Mickovski, zgjidhje të problemeve reale të popullit.
Kjo parti e filloi fushatën në Ohër me sloganin “Krijo ardhmëri të re”.

BDI e ka nisur fushatën “Zgjidh jetë, voto blertë” në Gostivar, ndërsa kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti, para banorëve të Gostivarit tha se komuna e tyre meriton ndryshim.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit e filluan nga Sheshi “Skënderbeu” në Shkup. Me sloganin “Pastër”, do të kërkojnë besimin e qytetarëve. Kryetarët e koalicionit, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi kanë mbajtur fjalime promovuese para qytetarëve.

PDSH me sloganin “Me më të zotët ka shpresë!”, fushatën zgjedhore e nisi nga Tetova. Kryetari Menduh Thaçi ka mbajtur fjalim para qytetarëve, kurse janë prezentuar edhe dy kandidatët më seriozë të partisë së tij, Sadi Bexheti në Tetovë dhe Azem Sadiku për Studeniçanin.
Lëvizja Besa me sloganin “Me ka krejt” fushatën e ka filluar nga Shkupi. Kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami, i cili është edhe kandidat për Komunën e Tetovës, deklaroi se Tetovës i duhet ndryshim.

“E dimë se shumica e qytetarëve për shkak të keqmenaxhimit të deritanishëm nga oponentët tanë, kanë humbur besimin tek pushteti lokal. Në këto zgjedhje ne ju ofrojmë një model të ri komunave urbane dhe rurale. Do të rikthejmë besimin e qytetarit tek komuna që gjithkush ta shoh komunën si shtëpinë e vetë. Ne do të jemi transparent në menaxhimin e mjeteve financiare publike. Me fitoren tonë keqpërdorimeve financiare në komuna ju vjen fundi”, deklaroi Kasami.
Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.

Baby Boo