Janakieski: Nuk dua të besoj se për shkak të Gruevskit jam në burg


Ish-funksionarët e lartë në Qeverinë e Maqedonisë në kohën e VMRO-DPMNE-së Mile Janakieski dhe Kiril Bozhinovski kërkojnë nga Gjykata e Apelit lirimin e tyre nga paraburgimi, ku gjenden që pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Në seancën e sotme publike, dy-ish zyrtarët e lartë të partisë dhe të qeverisë ishin të përfaqësuar nga katër avokatë, raporton Alsat-M.

Daljen nga Shutka i pari e kërkoi ish-Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Janakieski. Para gjykatësve, nga fletorja lexoi një ankesë të cilën e kishte shkruar me dorë në paraburgim. Ai tha se nuk po planifikonte të ikte, kurse për shënimin nga policia sekrete me të cilën ishte paraburgosur, tha se ishte i sajuar.

Janakieski ka pasur një takim me presidentin Gjorge Ivanov, por mbi një temë që lidhet me situatën politike. Shënimi i DSK-së ku thuhet se kërkohej amnisti për të, përmes ndërmjetësit, sipas Janakieskit, nuk ishte i saktë për ditën dhe kohën e takimit. Ish-ministri kishte një propozim për gjykatën.

“Unë nuk posedoj pasaportë. Atëherë, si mund të hap llogari jashtë vendit? Nëse ekziston një llogari e vetme, jam i gatshëm që nesër të lidh marrëveshje me PSP-në dhe të dënohem aq vite sa dëshiron Prokuroria Speciale. Nëse ka vërtetim se posedoj llogari jashtë vendit, do të shkojë në burg të përjetshëm”, tha ish-ministri i Transportit.

Janakieski u shpreh se nuk dëshiron të besojë se ka përfunduar në burgun e Shutkës për shkak se Gruevski është arratisur.

Por, megjithatë edhe krahas pohimeve të ish-ministrit, Specialja fuqishëm mbetet në qëndrimin se që të dy duhet patjetër të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim pasi kanë planifikuar të arratisen.

Mbrojtje të ngjashme në sallën e gjykatës kishte edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Kiril Bozhinovski.

“Me plot përgjegjësi deklaroj se nuk kam asnjë llogari jashtë vendit, por vetëm atë në Maqedoni”, u shpreh Bozhinovski.

Javën e kaluar Mile Janakieski dhe Kiril Bozhinovski me vendim të Gjykatës Penale dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale Publike u dërguan në burgun e Shutkës. Shkak për këtë ishte frika nga arratisja. Ata në paraburgim përfunduan një ditë pasi ish kryeministri Nikolla Gruevski në Facebook lajmëroi se gjendet në Hungari. Sipas praktikave gjyqësore, Gjykata e apelit në ditët në vijim duhet të vendosë rreth ankesave të Janakieskit dhe Bozhinovskit./Alsat/

Baby Boo