Kërkohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (VIDEO)


Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, të martën, doli me një letër publike, me anë të së cilës kërkoi pranimin urgjent të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Duke pasur parasysh lu*ftën në Ukrainë, tani është jashtëzakonisht e rëndësishme që lufta në Ballkan të bëhet e paimagjinueshme dhe të dërgohet një sinjal i qartë se ne nuk tolerojmë asnjë ndryshim të kufijve përmes dhunës dhe se mbrojtja e pakicave dhe të drejtave të njeriut duhet të forcohet. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hapi i duhur”, deklaroi Abraham, që është ligjvënës i partisë opozitare CDU.

Rusia, njëra nga shtetet më me nam anëtare e KiE-së, u pezullua nga kjo organizatë një ditë pasi që nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës.
Por, se a do të aplikojë qeveria kosovare për anëtarësim në Këshillin e Evropës mbetet të shihet.

Leonora Kryeziu, drejtoreshë në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), konsideron se tani është “rasti i artë” që Kosova të hyjë në organizatën lidere për të drejtat e njeriut dhe sundimit të ligjit me seli në Strasburg të Francës.

“Nga 47 vende anëtare në Këshillin e Evropës, shumica prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, andaj kjo është mundësi që duhet shfrytëzuar”, tha ajo.
Ndaj deklarimeve që republika kosovare të anëtarësohet në Këshillin e Evropës ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme në Beograd, Nikola Selakoviq, i cili tha se kjo është çështje e rrezikshme.

Portali serb “Nova”, të martën, raportoi se delegacioni serb pranë KiE-së u tërhoq kur u mor vendimi për suspendimin e Rusisë. Raportues për Kosovën në këtë këshill është politikani gjerman, Peter Beyer.
E Sekretare e Përgjithshme e organizatës me buxhet vjetor 800 milionë eurosh është ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Marija Pejqinoviq-Buriq.

Baby Boo