Ish ushtari i UÇK-së:”Këtë rezultat as në ëndërr s’do ta kisha menduar”


Nga Frashër Oseku

I befasuar për të mirë pas takimit në Bruksel, Prishtina po dëshmohet si negociatore e aftë. Ne vuajmë nga një kompleks inferioriteti, quajmë të zotin këdo që vë një firmë me ndërkombëtarë. Por negociator i zoti quhesh edhe kur i ik firmës me marifet: biles duke bërë be se ja unë desha po iku tjetri. Sinqerisht, në Bruksel kanë sa të duash lapsa e letra.

Po të donte Kurti vërtet vërtet që të nënshkruajë. Atë s’e ndalonte askush, apo jo? Edhe kur shoh matanë firmës, shikoj një surprizë. Shikoj, ta zëmë, një ujdi e cila vë paritet de facto midis fqinjësh. Njohje institucionesh, dokumentesh, misionesh. Ngjashëm nisi më 1905 edhe njohja e Norvegjisë, mbas shkëputjes së njëanshme prej Suedisë. Shikoj, poashtu, se bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk përmendet fare me emër. Qartë, ajo ndodhet pa emër tek ato ujditë e mëparshme që duhen realizuar. Por ajo ishte në qendër të debateve gjer sot. Ky skajim i saj, mbase s’quhet fitore e plotë, por e pjesëshme po që po. Në avantazh Kosova edhe këtu. Mbi të gjitha, Prishtina ka fituar betejë e stratagemave. Para se të nisej për këtë takim, mesazhi i Uashingtonit dhe Brukselit ishte brutal. Take it or leave it, si tha vetë Borrel. Fjalëve u ka ardhë fundi. Epo, unë shoh që Kurti po kthehet buzagaz në Prishtinë, me një rendez-vous të ri në Shkup. Edhe skajimi i vendtakimeve, nga Brukseli në Shkup, i shkon stratagemës së Prishtinës. Ajo do që t’u ikë trysnive nga fuqitë e mëdha, se ato rëndojnë gjithmonë më fort mbi palën e dobët. Tashti Prishtina e Beogradi do të ulen mënjanë, diku në një kafe të Shkupit, me Borrelin kamarier. Kush e di? Herën tjetër ndoshta në Skivjan a në Rahovec. E pse jo? Serbia ka orët por ne kemi kohën. Ajo nuk hyn dot në BE pa këtë ujdi. Quamëni pesimist, por unë këtë rezultat as në ëndërr nuk e shihja.

Baby Boo