Ish-piloti amerikan që bombardoi Serbinë, lavdëron FSK-në


Jeffrey Fischer ka ardhur në Kosovë për të promovuar librin e tij të ri, të cilin e ka bazuar tek përvoja personale në misione të ndryshme në botë, por që përgjithësisht janë të sajuara. Por krejt të njëmendta janë caqet e tij në pranverën e vitit 1999, të cilat piloti i forcave të NATO-s i rrëfeu ekskluzivisht.
Fischer është njëri nga pilotët, që u shfaq në qiellin e Kosovës kah fundi i 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve në ish-Jugosllavi.

“Unë isha në një prej sulmeve të netëve të fundit, për çka kam marrë edhe një medalje, misioni për të cilin shkruhet në atë medalje ishte ai kundër një formacioni të energjisë në Novi Sad. Pra ne po përpiqeshim t’ua ndalonim energjinë të cilën e përdornin për pajisje ushtarake”, thotë Fischer për Klan Kosova.

Koloneli në pension më 7 qershor 99’ pati në objektiv edhe Beogradin.
“Mendoj se është e rëndësishme ta them se unë nuk isha në luftë me serbët, unë, pra presidenti im, ishte në luftë me Sllobodan Milloshqeviqin, përndryshe unë jam rritur me serbët dhe kam shumë miq serb në Çikago, kështu është kur je pjesë e ushtrisë.”

Jeffrey Fischer që thotë se e ka Kosovën si shtëpinë e dytë, u kthye një herë të dytë.
Tashmë në vendin e pavarur, si atashe ushtarak. Këtë detyrë e kreu në vitet 2016-2018 gjatë së cilës kohë Kosova po bënte përpjekjet më të mëdha që FSK-në ta shndërrojë në ushtri.

“Pa përjashtim, secili gjeneral amerikan që ka ardhur për ta vëzhguar FSK-në dhe është takuar me udhëheqësit e saj, ishin tejet të mahnitur. Ata mendonin dhe vazhdojnë të mendojnë se FSK është një forcë e jashtëzakonshme dhe ata në SHBA donin vetëm që Kosova të shkonte me hapa të ngadaltë në transformim dhe kjo për shkak të raporteve me Serbinë.”

Ka treguar edhe pse ndonjëherë aleatët më të mëdhenj kishin hezitimet e tyre.
“Ka pasur shumë njerëz që gabimisht kanë qenë të bindur se FSK është UÇK-ja me një uniformë tjetër, dhe kjo s’mund të ishte ashtu. Gjenerali Rama dhe udhëheqësit tjerë bënë çmos që të mbillnin doktrinën perëndimore, principet, trajnimet, taktikat që parashihen me standardet e NATO-s.”

Piloti amerikan i 7 misioneve më të mëdha të NATO-së thotë se aleanca veriatlantike nuk do të jetë përgjithnjë në Kosovë, sikur që është herët të flitet për një bazë të përhershme ushtarake. Por është i sigurt se NATO mbetet e përkushtuar për Kosovën dhe nuk e ka ndërmend të largohet nga Kosova në të ardhmen e afërt!

Ish atasheu amerikan i mbrojtjes i pyetur nga Klan Kosova për marrëveshjen që Kosova ka me NATO për mosdërgimin e FSK-së në Veri të vendit ka vlerësuar se nuk është telash i madh nëse siguria në pjesën veriore mbikëqyret nga KFOR.

“Ata ushtarë duhet të bëjnë diçka, jo të ulen në kamp e të luajnë letra a diçka e tillë. Do të ishte më e mençur diplomatikisht që Kosova t’i përdorte ato forca që janë të paktën të pranueshme për dy palët, Kosovën e Serbinë, të patrullojnë dhe të kryejnë detyra tjera të sigurisë në veri”, ka deklaruar ai.

Baby Boo