Isaku nga Shkupi, berberi që ka qethur Berluskonin (Foto)


Para dyqanit të tij pritet në radhë në kuptimin e plotë të fjalës. Nëse jeni kalimtar rasti do të mendoni se ka ndonjë tubim. Vështirë se keni vërejtur në tjetër vend në Shkup aq shumë klientë të presin në radhë. Këtë mund ta vëreni tek studio e berberit të njohur, Isak Rera. Me përvojë 28 vjeçare, Isaku është profesionist dhe perfeksionit, i kulturuar dhe i qetë. Në hyrjen e studios së tij në lagjen Kapishtec ju ofrojnë çaj dhe kafe, e kur ju vjen radha, mund të bindeni në mjeshtrin e tij të vërtetë.

“Në këtë zanat u dashurova përmes vëllaut tim, ai është më i vjetër dhe prej tij mësova shumë. Më vonë vendosa të hapë studion time”, thotë Rera, transmeton Gazeta Lajm.

Meqë ka prejardhje turke, shpeshherë udhëton nëTurqi dhe prej atje ka marë një pjesë të rëndësishme të teknikave të qethjes. Tani posedon sallonin në Kapishtec, por edhe një tjetër në Qendrën Tregtare të Qytetit që e mban bashkë me vëllaun.

Për mjeshtrin e tij kanë dëgjuar të gjithë në Shkup, duke përfshirë edhe figurat e politikës, biznesit dhe sferave tjera. Për të ruajtur privatësinë e tyre, nuk i përmend me emra, me përjashtim të ish presidentit maqedonas, Branko Cërvenkovski, të cilin e ka klient të rregullt.

Me kënaqësi flet edhe për momentet më të rëndësishme të karrierës, sië është qethja e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

“Nuk kisha fare idenë se Berluskoni është në Shkup. Qëndronte në hotel Aleksandar Pallas. Një klient imi i rregullt i ka treguar për mua. Dërguan automobil special, më morën dhe hyra në apartamentin e kryeministrit. Më priti me buzëqeshje të gjerë. Deri sa e qethja, vazhdimisht ishte pozitiv, vazhdimisht tregonte barsoleta, kurse në fund më tha se është shumë i kënaqur dhe se askush deri tani nuk ia ka qëlluar aq mirë qethjen. Ishte si në ëndërr”, tregon Rera.

Gjatë karrierës atij i ka “ra në dorë” edhe koka e ish kampionit botëror të shahut, Anatolij Karpov, i cili ka qëndruar në Maqedoni në kuadër të një seminari për shah.

Baby Boo