Imer Lladrovci: Adem Demaçi, një titan i shqiptarisë


Imer Lladrovci

Adem Demaçi
Një titan i shqiptarisë

Vienë 2016

Kritë Maloku
“Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.” 1

Adem Demaci
“Nuk më ka ënda kur shqiptarët në pushtet harrojnë interesin e kombit. E harrojnë se jemi të ndarë në gjashtë copë dhe bëjnë që të ndahemi dhe në më shumë pjesë. Kërkesa dhe dëshira ime është që kudo të jetë fryma për bashkim kombëtar. Jemi ushtarët e kombit, prandaj mbi të gjitha duhet të jenë interesat kombëtare.” 2

Hyrje
Në kohën kur fillova të shkruaj këtë kumtesë, mediat njoftuan se Adem Demaçi ishte shtruar në spitalin e Prishtinës në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Viti që shkoi ishte një vit i vështirë për Adem Demaçin, sepse për herë të parë në jetën e tij ai u përballë me ndërlikimet e një sëmundjeje që e cënuan seriozisht gjendjen e tij shëndetësore. Megjithatë, në disa paraqitje të pakta publike, Adem Demaçi përsëri u shfaq me stilin e tij të papërsëritshëm. Dukej se edhe një herë ai po i kthehej jetës publike, megjithëse tani me kufizime të dukshme komunikimi verbal, po gjithnjë si njeri me kurreshtje të pashuar për botën e zhvillimet e saj, për botën e tij të shenjtë shqiptare, një njeri i komunikueshëm që kapërcen ose bën gjithçka që të kapërcejë kufijtë e të mundshmes.
Por këto ditë (janari 2016), për fat të keq, problemet u rikthyen. Shëndeti i tij nuk i bindej vullnetit të tij të ç eliktë, të pathyeshëm. Një vigan që nuk e nënshtroi njeriu, njeriu i egër e armiqësor, armiku historik i shqiptarëve, në fund natyra me ligjet e saj të pamëshirshme e ka shtrirë në shtratin e lëngatës. Është e vështirë të thuhet se cili do të jetë epilogu i kësaj ndeshje me determinizmin biologjik, por një gjë është mëse e sigurt: Adem Demaçi ishte dhe mbeti deri në fund një titan i vërtetë. Ai e jetoi jetën e tij si askush tjetër në brezin e tij dhe në brezat e mëvonshëm.
“Adem Demaçi si njeri i papërkulshëm.”
Kështu e karakterizon atë profesori, poeti dhe kritiku letrar francez, Daniel Leuwers i cili ligjëron në universitetin francez “l’université de Tours”. Leuwers i ka drejtuar propozimin për ç mimin Nobël për vitin 2016 komitetit norvegjez në Osllo me këtë arsyetim: “Shteti më i ri i planetit, në mënyrë të pakontestueshme e meriton njohjen internacionale, e unë si kryetar i Asociacionit Internacional të kritikës letrare, jam i lumtur që më ka ardhur rasti të jem përkrahës për kandidaturën e tyre pranë jurisë së çmimit ‘Nobel’, me tërë admirimin dhe miqësinë time”. Demaçi është propozuar vitin e kaluar më 31 janar, “por ne tash e kemi marrë konfirmimin se ai është në garë dhe jo thjesht në procedurë” ka thënë për media Reshat Sahitaj.3
Rreth 60 vjet pas arrestimit të parë, vuajtjeve të burgjeve jugosllave, ç mimit Saharov të Parlamentit Europian më 1991 nami i tij prej kohësh ka kaluar kufijt kombëtar e ballkanikë. Shteti që deshi ta rrëzojë në humnerë, nuk e ekziston më. Iku me turp, duke lënë pas vete tragjedi popujsh që synoi t’i sundojë, asimilojë e madje t’i zhduk edhe fizikisht si në rastin e popullit shqiptar.
Adem Demaçi ekziston. Emri i tij ka mbërritur në olimpin që quhet Komiteti i Ç mimit Nobel për Paqe në Osllo.
Ky është pa dyshim një triumfi i madh njerëzor. Triumfi i tij politik. Triumf i një titani.

1. Vitet e fëmjërisë, rinisë dhe prirja e rebelimit
Adem Demaçi ishte fëmija i tretë i Zeqir e Nazife Demaçit. U lind në Prishtinë më 26.02.1936 në një familje të ardhur këtu nga fshati Lupç. Kjo është data zyrtare, por, siç ka thënë disa herë vetë, ai është lindur në fakt së paku gjashtë muaj më herë, diku në verën e vitit 1935. Ndërsa gazetari amerikan Steven Erlanger shkruan në “New York Times”në gusht të vitit 1999: “Zoti Demaçi si gjithëmonë misterioz për moshën e tij […] I shtyrë për të thënë diçka më shumë, ai tha se ditëlindja e tij ishte 26 korriku 1935, por dokumentet e tij tregojnë se ai kishte lindur më 26 shkurt të vitit 1936. ‘Unë kam qenë fëmijë i dobët për nga shëndeti dhe për këtë arsye babai im nuk më regjistronte. Gjashtë muaj më vonë, nëna ime i tha babait: Më mirë regjistroje. ‘Ademi nuk do të vdesë’.” 4
Në moshën tetëvjecare i vdes babai nga nga tuberkulozi, atëherë sëmundje shumë e përhapur në popullsi, në rradhë të parë në shtresat e kequshqyera. Dhe familja e Zeqir Demaçit hynte në këto shtresa të varfëra të Prishtinës, si pjesa më e madhe e shqiptarëve që i nënshtroheshin një diskriminimi të egër etnik të Mbetërisë serbo-kroato-sllovene, e cila, duke pasur si synim dëbimin tërësor.5 të tyre, shërbehej edhe me forcën shkatërruese të sëmundjeve epidemike. Demaçi mbeti vetëm me nënën, vëllaun dhe motrën e tij. Disa vite më vonë i vdes edhe vëllau nga po e njejta sëmundje si ajo e babait të tij. Qysh në vitet e fëmijërisë ai konfrontohet me vdekjen në rrethin e ngushtë familjar, por ai nuk mposhtet nga dhembja, nuk thehet zemra e tij.
Një vit pas lindjes së Demaçit, akademiku serb Vaso Çubrilloviq harton elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve”, të cilin ia drejton qeverisë mbretërore, e cila do të duhej ta realizonte atë në praktikë. Një vit e gjysmë më vonë, më 30 janar të vitit 1939, serbi i natyralizuar Ivo Andric poashtu bën një elaborat kundër shqiptarëve, veçse shkrimtari Andriç është edhe më radikal se historiani Çubrilloviq. Ai kërkon jo vetëm shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, por edhe zhbërjen e Shqipërisë si shtet, sepse “me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën arbanase në Kosovë, e cila në situatën e re më lehtë do të asimilohej.” Andriç është i bindur: “Çështja e shpërnguljes së arbanasve myslimanë në Turqi, gjithashtu do të ekzekutohej nën kushte të reja, sepse nuk do të kishte kurrëfarë aksioni të fuqishëm për t’u penguar kjo.””6 Fëmija Demaçi nuk kishte se si të ishte në dijeni të këtyre planeve e shestimeve të politikës serbe e jugosllave, mirëpo realizimin e kësaj politike e kishte përjetuar në mënyrë dramatike familja e tij dhe ai vetë në një kohë kur ishte në gjendje vetë të gjykonte. Me 20.11.1958 deklaron në hetuesi se “qëllimi i organizatës do të ishte pengimi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi”.7 Në familjen e nënës që në vitin 1912 ishin ekzekutuar brenda oborrit të shtëpisë babai Halimi dhe 4 xhaxallarët e saj. Kjo përvojë tragjike me pushtuesin e ri ishte pjesë e rrëfimeve të nënës qysh në fëmijërinë e hershme. Por kjo politikë e nxitjes së shpërngujes dhe dëbimit nuk do të braktiset asnjëherë në shtetin e sllavëve të jugut, ajo do të rivihet në rend të ditës edhe pas fitores së komunistëve jugosllavë.
Në moshën shtatëvjeç are, në shtatorin e vitit 1942 babai Zeqiri e regjistron Ademin e vogël në shkollën fillore ku tani mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, sepse pas pushtimit italian Kosova ishte bërë pjesë e shtetit shqiptar dhe ministri shqiptar i arsimit Ernest Koliqi kishte punuar shumë në përphapjen e rrjetit shkollor në Kosovë. Mësueses së tij, Vezire Selimi-Gllavica, Adem Demaçi do t’i binte menjëherë në sy. Mbi 70 vjet më vonë ajo kujton: “Në klasë të dytë kisha një djalë, Adem Demaçi, një djalë me flokë ngjyrë ari, […]. Më bëri përshtypje se kishte një zgjuarësi të veçantë.” Një ndikim të jashtëzakontë në edukimin e tij atdhetar do të luajë pikërisht kjo mësuese, të cilën Demaçi e kujton kështu: “E kam pasur mësuesen Vezire Selimi-Gllavica, e cila nuk e ka filluar orën e mësimit pa na detyruar të këndojmë këngën:
‘Po çka je mor djalë i bardhë
besa-besë unë jam shqiptar
se Shqipëria më tha një fjalë
më ke nanë e të kam djalë.’”8
Një mësues që ushtroi ndikim të madh te nxënësi Demaçi ishte edhe shkodrani Kolë Nikaj, “i cili në kohën mbas pushtimit të Serbisë na ka mbajt orë historie jashta planit, jashta programit”, duke u dhënë nxënësve njohuritë e nevojshme nga historia jonë kombëtare që nga ilirët e deri në shekullin XX. “Për neve ato ishin zbulime që s’i kishim dëgjuar kurrë. Ne rriteshim në frymën e atdhedashurisë e të dashurisë ndaj Shqipërisë.” Rreth 40 vjet më vonë Demaçi kujton: “Dashurinë për letërsinë dhe artin në shpirtin tim e mbolli mësuesi im i talentuar dhe i palodhshëm Kolë Nikaj.” Por Kolë Nikaj do të dëbohej nga Kosova.9
Një mësues tjetër që ndikon shumë në formimin e personalitetit të Demaçit është Zekirja Rexha. “Ai na ka frymëzuar dhe na e ka treguar të vërtetën. Ne si të rinj nuk e kemi ditur se në çfarë kohe po jetojmë. I kemi bërë pyetje shumë të rrezikshme dhe kurrë s’ka dalë asnjë fjalë nga jeta jonë brenda klasës.” Disa vite më vonë, një njeri tjetër që ndikon në formimin e Demaçit të ri si shkrimtar dhe atdhetar është Esad Mekuli. Tregimin “Kthimi” që trajtonte temën e shpërnguljes që kishte marrë hov në vitet ’50 nuk ia botojnë në “Rilindje”. Drejtori i saj Ymer Pula kishte frikë.”Unë e mora, ashtu si e kisha shkru e ia çova Esad Mekulit. E Esad Mekuli pa një fjalë e botoi në ‘Jeta e Re’. Edhe ishte trim, edhe ishte largpamës, […] fliste shumë pak, kështu që atë e kemi pas ne mësuesin tonë atdhetar më së pari e pastaj edhe si letrar, si poet.”10

2. Talenti letrar në shërbim të çështjes kombëtare. Romani “Gjarpinjtë e gjakut” dhe libri “Kur zoti harron”
Duke filluar nga viti 1953, kryesisht te “Jeta e Re”, por edhe në gazetën “Rilindja” Demaçi kishte botuar një mori tregimesh, përmes të cilave ai kishte shpalosur talentin e tij të jashtëzakonshëm letrar. Në kohën që Demaçi u burgos vëllimi me tregime “Kur zoti harron” gjendej në shtyp, por nuk do të nxirrejë në qarkullim, por do të kishte fatin e autorit të tij. Vetëm në vitin 1990 ky libër do të dalë nga errësira, nga burgu i heshtjes dhe do të botohet nga “Zëri i rinisë” nën përkudesjen e Shaip Beqirit, i cili në këtë kohë riboton edhe romanin “Gjarpinjtë e gjakut” në gjuhën standarde.
Në vitin 1958, revista letrare „Jeta e re“ kishte botuar në dy numrat e saj romanin e Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Meritë të veçantë për këtë botim kishte Esad Mekuli, i cili për vite me rradhë ishte kujdesur për zhvillimin e talentit letrar të Adem Demaçit. Kritika letrare e priti jashtëzakonisht mirë romanin, mirëpo pak muaj pas botimit, d.m.th. pas burgosjes së autorit të tij, libri do të ndalohet. Libri që e çoi në burg autorin e tij do të shfaqet me qindra herë edhe në akuzat e shumë të rinjëve shqiptarë që e kishin lexuar dhe nën shembullin e autorit kishin vepruar në mënyrë legale e ilegale kundër regjimit jugosllav. Studiuesi i veprës së Demaçit A. Konushevci konsideron se “është me shumë interes të shihet dhe të ndiqet historia e leximit të tij në aspektin socio-politik, socio-kulturor dhe socio-letrar, që nga koha e shumëzimit të tij në poligraf.” 11 Konushevci, “duke i marrë parasysh të gjitha elementët strukturore dhe kompozicionale”, ka bindjen se romani apo novela mund të vlerësohet si “një tragjedi e romanizuar për gjakmarrjen.”12 Agim Vinca sheh tek Demaçi njohësin e mirë të “jetës dhe i mendësisë së popullit të vet, i plagëve dhe i dhembjeve të tij. […] Pamja e fundit e romanit, ku njëri nga personazhet , kundërshtar i rreptë i zakoneve prapanike, pas përleshjes së dy familjeve, i drejtohet një fëmije, simbol i së ardhmes, me fjalët: ‘Shtypi, shtypi këta gjarpërinj të gjakut!…’, flet jo vetëm për mesazhin e qartë të veprës, por edhe për mundësitë e mëdha krijuese të autorit të saj.”
Shkrimtari dhe bashkëveprimtari i Demaçit Teki Dervishi për librin “Kur zoti harron” shkruan se “në kohën e errët kur soc-bizantinizmi bën përpjekje histerike për shfarosjen shpirtërore të shqiptarëve, në letërsinë tonë paraqitet Adem Demaçi i ri që shkruan tregimin modern të mbështetur në mësimin e thellë të traditës sonë kombëtare, të mbështetur poashtu në parimet estetike të një arti që nuk u nënshtrohet dogmave të ideologjizimit politik, por që përfill idejshmërinë më elementare të traditës së artit: humanizmin, të bukurit, emrin dhe gjuhën e krijuesit. Prandaj në këtë kohë të egër, heroin kombëtar (personazhin) e hasim vetëm në tregimet e Adem Demaçit. Në prozën e këtij të riu dëgjohet zëri i popullit shqiptar dhe jo zëri i një populli socialist (që nuk ka identitet, traditë as histori).” 13
Në librin e Hakif Bajramit “Dosja Demaçi” gjejmë këtë konstatim: Adem Demaçi “në mesin e shkrimtarëve të Kosmetit konsiderohet si shkrimtari më i talentuem”, gjë që tregon se për regjimin jugosllav ky shkrimtar i ri me këtë talent të madh letrar përbënte një rrezik të madh për politikat e tij ndaj shqiptarëve, nëse ai do të lihej i lirë për një kohë të gjatë.

3. Arrestimi i parë dhe vitet e para të burgjeve
Adem Demaçit, si pothuajse të gjithë intelektualëve të rinjë kosovarë në atë kohë i propozohet të bëhet anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Ndryshe nga të tjerët që donin të bënin karrierë profesionale e politike, Adem Demaçi refuzon të bëhet anëtar i kësaj partie që kishte pushtet absolut, sidomos mbi shqiptarët e nënshtruar. Nxënësi që dikur i kishte filluar orët e mësimit me këngën e Nënës Shqipëri nuk mund të pranonte të bëhej anëtar i një partie e cila i shtypte barbarisht shqiptarët, e partisë që bënte gjithçka që kosovarët të mos e ndjenin veten djemë të Nanës Shqipëri, por të një nëne tjetër, joshqiptare, të nënës sllave, asaj që veten e quante Jugosllavi. Për Demaçin një përfytyrim apokaliptik! Ai refuzon në mënyrë të vendosur, me vetëdije të plotë dhe pa iu trembur syri. I dinte fort mirë konsekuencat e këtij qëndrimi intransigjent, por nuk u zbraps edhe kur filloi presioni i UDB-së omnipotente. “Kam pasur mundësi me eskivue që thonë për mos me ra në burg. Por unë kam ra në burg me vetëdije të plotë. E kam ditur çka po më pret.” 14
Pak muaj para arrestimit, Demaçi kishte marrë pjesë edhe në dy aktivitete me letrarët e Kosovës që ishin organizuar nga Dushan Mugosha e Mehmet Hoxha. Në të parin Dobrica Qosiq kishte ardhur për t’i mësuar shkrimtarët e Kosovës se si të shkruajnë letërsi sipas kërkesave të shtetit jugosllav. Demaçi e kundërshton hapur shkrimtarin shovinist serb, duke i thënë se ne nuk kemi nevojë për këshillat tua, sepse kemi letërsinë tonë që nga Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani. Edhe Mehmet Hoxhës që i këshillonte shkrimtarët e rinj të mos e lexojnë Ernest Koliqin Demaçi i thotë se shkrimtarët duhet të bëjnë pikërisht të kundërtën. Ata duhet ta lexojnë shkrimtarin e anatemuar dhe të mësojnë nga ai, sepse “Koliqi është një stilist i madh.”
19 nëntori i vitit 1958 është dita e arrestimit të parë të Adem Demaçit. Akuza: Veprimtari armiqësore kundër rregullimit shtetëror të Jugosllavisë dhe veprimtari politike për bashkimin territorial të viseve shqiptare nën Jugosllavi me Republikën e Shqipërisë. 19 nëntori i vitit 1958 është pika e kthesës në jetën e Adem Demaçit. Ishte menduar si pikënisje e rrokullisjes së tij në humnerë, por do të ndodhte e kundërta. Ata që e dërguan në burg bashkë me shtetin e tyre “vdiqën një nga një, kurse ne mbetëm gjallë sot e kësaj dite.

Baby Boo