Imamit kosovar ia kërkuan 35 mijë euro ose kokën, flet policia


Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka konfirmuar kërcënimin ndaj profesorit të shkencave islame, Mustafa Bajrami, për mesazhe kërcënuese që i njëjti i mori sot në formë të haraçit. Këtij të fundit i janë kërkuar 35 mijë euro nga persona tanimë të njohur për organet e drejtësisë.

Zëdhënësi i PK-së, Ismet Hashani ka thënë se për këtë rast është informuar menjëherë prokurori, i cili është marrë me lëndën në fjalë. Ai tregon si ka ndodhur i gjithë rasti.

“Fillimisht jo ai direkt, është kanosur tjetër kush megjithatë përmes mesazheve është kanosur edhe ky personi shtetas i Kosovës. Policia e Kosovës e ka njoftuar Prokurorin dhe prokurori direkt është marrë me këtë lëndë kështu që është intervistuar viktima janë duke u marrë të gjitha masat që me u zbardhë rasti”, ka thënë Hashani për Indeksonline.

Ndryshe, lajmin për kërcënimin e tij e bëri të ditur vet Bajrami përmes llogarisë së tij personale në “Facebook”, i cili tha se është dashur ndërhyrja e një personi tjetër (ndërmjetësues) që çmimi i haraçit të bie.

“Ose 35000 euro, ose koka. Ky ishte ultimatumi i deridjeshëm. Pas ndërhyrjes së një fytyre shumë e njohur publike në Kosovë (jo fytyrë politike), çmimi ka ra, por, sipas ndërmjetësuesit, gjithqysh diçka duhet paguar.

I them botërisht zotëriut dhe zotërinjëve të involvuar. Nuk ka forcë në këtë botë që mund të më detyrojë të bëjë diçka jashta vullnetit tim. Siç i kam quar selam mbrëmë edhe sot nga këtu i them; Pushka top iu bëftë se unë nuk frikohem. Kurrë dhe në asnjë mënyrë asnjë cent s’ka për ta marrë”, kishte shkruar Bajrami.

Baby Boo