I porsalinduri ndërron jetë nga sëmundja e sepsës në Klinikën e Fëmijëve në Shkup


Një foshnjë e lindur vetëm dhjetë ditë më parë në Prilep ka ndërruar jetë nga sepsë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Nëna e foshnjës së ndjerë thotë se më 27 tetor ka lindur një foshnje të gjinisë mashkull të shëndoshë dhe se dy ditë pas lindjes, mjekët në spitalin e Prilepit i kanë thënë që foshnja duhet të rrezatohet për shkak të verdhëzës. Ky proces ka zgjatur gjithë natën dhe më pas fëmija është dërguar për mjekim në Klinikën e fëmijëve në Shkup, me sqarim se atje kanë pajisje më të mira për trajtimin e
verdhëzës.

Nëna e fëmijës së ndjerë akuzon spitalin e Prilepit për pakujdesi dhe higjienë të keqe në maternitet.

Nga Klinika e Fëmijëve kanë sqaruar se i porsalinduri është sjellë në gjendje të rëndë, nën mbështetje të oksigjenit dhe pak kohë më pas gjendja është përkeqësuar. Në ndërkohë të porsalindurit i kanë dështuar veshkat, kështu që shtatë ditë pas shtrimit në klinikën e Shkupit ka ndërruar jetë. Të gjitha analizat, thonë nga Klinika, kanë treguar sepsë të hershme që është fituar gjatë lindjes.

Nga spitali i Prilepit konfirmohet zhvillimi i ngjarjeve të përshkruara nga nëna, por shtojnë se gruaja më parë ka pasur një infeksion vaginal.

Baby Boo