I dha fund kontratës me Ultra Music? Era Istrefi i rikthehet muzikës


Për shkak të një postimi që qarkulloi në Twitter, u aludua se Era Istrefi ka shkëputur kontratën me kompaninë Ultra Music, por si qëndron e vërteta?

Një fans i këngëtares shpërndau një postim ku pretendon se ka kontaktuar me Sonya Okon, shefja e distribucionit në Ultra Music, ku e pyet nëse është e vlefshme kontrata. “Hej! Për fat të keq, ajo nuk është më në Ultra kështu që nuk e kam idenë për projektet e ardhshme. Më vjen keq, do të doja të kisha dhënë lajme më të mira,” i përgjigjet Okon.

I dha fund kontratës me Ultra Music? Era Istrefi i rikthehet muzikës
I kontaktuar nga Telegrafi, menaxheri aktual i këngëtares (emri i të cilit nuk përmendet) është shprehur se nuk është e vërtetë shkëputja e kontratës. “Duhet të jetë 100% një keqkuptim. Era vazhdon të ketë kontratë valide [të vlefshme] me kompaninë Ultra Music,” tha ai.
Në një postim në Instagram të pak orëve më parë, Era paralajmëroi se do të publikojë së shpejti këngë.

Në një intervistë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në shkurt të vitit 2021, Era tha se e ka kaluar shumicën e pandemisë në Kosovë. Ajo theksoi se ka punuar me shumë këngë, përmendi bashkëpunime me artistë shqiptarë, por vuri në dukje se është duke punuar që të rishikojë kushtet e kontratës me kompaninë Ultra Music. Nga çfarë tha, këngëtarja la të nënkuptuar se kompania nuk e përkrah dëshirën e saj për të kënduar shqip, gjë të cilën ajo e konsideron shumë të rëndësishme për karrierën.

Era Istrefi debutoi në tregun muzikor vendas me “Mani për Money”, që e renditi menjëherë në radhën e artisteve më të njohura asokohe. “Bonbon” arriti sukses ndërkombëtar dhe ajo u komentua si “vajza e Rihanna-s dhe Sia-a”. Era nuk e rinovoi kontratën me ish-menaxherin Faton Shoshin dhe kompaninë “Nesër Music” dhe kaloi nën menaxhimin e “Ultra Music”.

Pas “Bonbon”, u publikuan “Redrum” (feat Felix Snow), “No I Love Yous” (feat French Montana), “Origami” (feat Maphorisa), “Prisoner”, “Oh God” (feat Konshens). Ndonëse bashkëpunime me erma të njohur, asnjë këngë nuk e zbehu suksesin e Bonbonit dhe shumë fansa kanë pretenduar se Ultra nuk i ka dhënë Erës se çfarë meriton.

Në mars 2020, Era ishte pjesë e këngës “No Maybes”, për të cilën u shpreh: “Për mua nuk është e lehtë t’i publikoj këngët dy vite pasi i bëj, si për shembull kjo e fundit ‘No Maybes,’ sepse tani jam në valë tjetër dhe kam projekte shumë më të mira. Ama, ky është ndonjëherë efekti anësor i të qenit ndërkombëtar. Besoj se çdo e mirë ka një anë të keqe. Edhe kjo e fundit, mos më keqkuptoni, e dua shumë, thjesht mezi pres t‘ju tregoj këngë të reja. Ishalla s’vdes pa [jua treguar].”

“Dhe kur më pyesni pse, e kam të vështirë të përgjigjem sepse jam ende në procese të ndërlikuara ligjore. Ama si gjithçka tjetër që kam arritur në jetë (faleminderit Zot), edhe këtë kam për ta arritur,” perfundoi ajo.
Tani, ndoshta kushtet e kontratës janë rishikuar dhe Era mund të ketë më shumë vendimmarrje për projektet e ardhshme.

Baby Boo