HUAMARRJE E RE PREJ 32 MILION EUROVE, SHTETI ME BORXH PUBLIK PREJ 47,2%


https://www.facebook.com/tv21hd/videos/1315408435256024/

Borxhi publik për tremujorin e dytë të këtij viti është 47.2%.  Sipas Ministrisë së Financave, ky borxh për 0.1% e tejkaloi nivelin e vitit të kaluar, kur për herë të parë pas 9 vitesh u shënua ulje. Ish-ministri i financave Xhevdet Hajredini thotë se pushteti po bën propagandë me shifra. Sipas tij nuk është problem niveli i borxhit, por mënyra se si shfrytëzohen paratë.  Hapat e bërë nga qeveria brenda këtij viti janë dëshpëruese, konsideron Hajredini.

“Në Maqedoni kurrnjëherë nuk ka arritur as 50%. Çështja është se ku harxhohen paratë që merren nga bota e jashtme? Në qoftë se harxhohen atje ku shpin në rritje të prodhimit shoqëror, atëherë nuk ka problem të jetë edhe 60%, kështu që qeverisë aktuale nuk i duhen këto metoda të propagandës partiake dhe qeveritare, njësoj siç e bënte partia që ishte në pushtet”, u shpreh Xhevdet Hajredini-ish-ministër i financave.

Sipas Hajredinit, borxhi publik mund të jetë i dobishëm nëse paratë harxhohen për zhvillim të ekonomisë së vendit.  Duke krahasuar borxhin e vendit me shtetet e rajonit, Hajredini thotë se kemi fqinj që kanë borxh më të lartë.  Akuza në adresë të qeverisë sot erdhën edhe nga VMRO-DPMNE-ja. Në 3 muajt e fundit, borxhi publik është rritur për 54 milion euro, thonë nga selia e bardhë.

 “32,5 milion euro është ankandi i sotëm i Ministrisë së Financave, përmes së cilës qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të hyjnë në borxh. Mendojeni, do të na fusin në borxh për 32,5 milion euro, ndërsa projekti i vetëm dhe më i madh u janë tenderët dhe paratë shtetërore që ua ndajnë kompanive të LSDM-së dhe anëtarëve të saj”, tha Dimçe Arsovski-VMRO-DPMNE.

Sipas përllogaritjeve të opozitës, çdo familje 4 anëtarëshe, nga LSDM-ja është futur në borxh shtesë prej 4000 denarëve.  Megjithatë nga LSDM-ja, thonë se nuk është e vërtetë që borxhi është rritur për 32 milion euro.

“Politikat kriminele të VMRO-DPMNE-së i futën në borxh dhe i varfëruan qytetarët. Janë trashëguar 2 miliard e 114 milion euro që duhen kthyer deri në 2020-tën. Ato janë këste dhe borxh bazë nga huamarrjet e bëra gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Për shkak të politikave kriminale të VMRO-DPMNE-së, borxhi publik u rrit shpejt dhe ishte i paqëndrueshëm. Nga viti 2008 ai u rrit në mënyrë rapide që në vitin 2016 i njëjti të dyfishohet”.

Me të njëjtat përfundime dhe shifra, ditë më parë doli edhe Ministria e Financave. Madje nga atje shtuan se Me menaxhim të përgjegjshëm me borxhin publik, është përmirësuar edhe struktura e tij. Janë zvogëluar edhe normat e kamatës, si për obligimin ndaj euros, po ashtu edhe për letrat me vlerë.

Baby Boo