Historia e pabesueshme e Met Kananit


Deri para se të arrestohej në Turqi në mars të këtij viti, në Shqipëri emri i Met Kananit nuk ishte lakuar ndonjëherë, të paktën jo publikisht.

Ndonëse Policia e ka hetuar disa herë për çështje droge, askush nuk kishte dëgjuar më parë për të. Megjithatë, duket se për disa shtete të Bashkimit Europian e Turqinë nuk ka qenë i panjohur. Madje konsiderohej baron droge, apo siç e etiketuan shumë shpejt mediat turke pas arrestimit, “Escobari” shqiptar.

Por përveç vendeve të BE-së dhe Turqisë, duket se Met Kanani është i njohur edhe për drejtësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe atje për çështje narkotike, madje 17 vite më parë. Kanani rezulton i dënuar me 5.3 vite burg në SHBA. Në vitin 2001 ai u gjykua dhe u shpall fajtor me akuzën se kishte futur në Amerikë një sasi metamfetamine (MDMA) apo ekstazie. Edhe pse Kanani e apeloi vendimin, duke argumentuar se kjo substancë ishte e ligjshme në SHBA, gjykata vendosi përfundimisht dënimin e tij me 5.3 vite burg, pasi kjo lloj droge nuk rezultonte në listën e atyre që konsideroheshin legale.

ARRESTIMET

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda si edhe organet e tjera ligjzbatuese të vendeve partnere, goditën të shtunën grupin e strukturuar kriminal të baronit shqiptar të drogës, Met Kanani. Ky i fundit është në masën “arrest me burg” në Turqi, ndërsa dy ditë më parë u njoftua edhe arrestimi i 13 anëtarëve të tjerë të grupit në vendin tonë.

Operacioni i koduar “Precizioni” u shtri në disa qarqe të vendit, si Elbasan, Tiranë, Fier, Vlorë, Lezhë, Korçë dhe Shkodër. Në total, mësohet se ka 38 të arrestuar të grupit kriminal të Met Kananit që nga viti 2017, kur nisën edhe hetimet e para. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë ekzekutuar 13 arreste këto dy ditët e fundit në të gjithë vendin dhe kanë shpallur në kërkim një shtetas me inicialet S.R.. Aktualisht, Met Kanani, 56 vjeç, ndodhet në burg në Turqi, së bashku me Redjan Dervishin, 26 vjeç, Ruvin Spahiun, 46 vjeç dhe Besmir Llupin, 32 vjeç.

Në Maqedoni është arrestuar Mentor Muçka, 47 vjeç, banues në Pogradec. Ndërsa Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasit: Alfred Shabani, 44 vjeç, banues në Gjirokastër, Armando Gjini, 47 vjeç, banues në Rrëshen, Iliro Haruni, 43 vjeç, banues në Fier, Orges Islami, 40 vjeç banues në Gjirokastër, Arvanit Ulndreaj, 26 vjeç, Kladiu Ulndreaj, 25 vjeç, Gojart Jahelezei, 33 vjeç, Klinsi Aliaj, 23 vjeç, banues në Tiranë, Florand Xhabej, 43 vjeç, banues në Korçë, Lavdim Çuku, 44 vjeç, banues në Prrënjas, Nexhat Mlloja, 53 vjeç, banues në Shkodër, Andra Balla, 57 vjeç, banues në Librazhd dhe Bilbil Heqimi, 58 vjeç, banues në Fier. GRUPI KRIMINAL Sipas Policisë së Shtetit, këta persona vepronin si grup i strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike.

Veprimtarinë kriminale e ushtronin në Shqipëri dhe në vende të tjera, kryesisht ato të Bashkimit Europian. Dyshimet ishin se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE-së, si dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE-së.

Një tjetër aktivitet kriminal i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BEsë. Për këtë grup ka pasur edhe operacione të më- parshme nga Policia në vendin tonë, por edhe nga policitë në vende si Italia, Greqia, Maqedonia dhe Turqia./Panorama

Baby Boo