Hetimet për rastin e Astrit Deharit, vjen lajmi i fundit


Rasti i Deharit ishte një rast tronditës për vendin tonë.

Se çka ndodhi atë ditë brenda qelisë ku po mbahej ish-aktivisti i Vetëvendosjes ende nuk është përfundimtare, megjithatë organet e sigurisë iu patën referuar nga fillimi si marrje e jetes se vet.

Ekspertizat e kryera në Kosovë nga prokuroria e nga ekspertë të pavarur që ranë ndesh me mënyrën e humbjes së jetës së Astrit Deharit, më 5 nëntor të vitit 2016 ngritën edhe më shumë dilema për këtë rast. Se çka kishte ndodhur atë ditë do të kuptohej vetëm me një ekspertizë të kryer në një vend tjetër.

Duke dashur të hidhet dritë mbi këtë rast, Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 miratoi rekomandimet, ku thuhej se “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së, ose SHBA dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.
Familja Dehari zgjodhi Zvicrën, e shteti ndau 50 mijë euro.

Edhe pse kanë kaluar gati një vit kur prokuroria ka përcjellë për në Zvicër raportin me provat dhe dokumentet, rezultati i super ekspertizës ende nuk është dorëzuar.

Derisa po kryhet super ekspertiza, kanë ndërruar edhe deklaratat e prokurorisë për këtë rast, tashmë, edhe në dokumente rasti “Dehari” nuk po cilësohet më si marrje e jetës së vet por, si “e dyshimtë”.

Kjo bëhet e ditur edhe në dokumentin zyrtar që ka siguruar Express, i dërguar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nga ku mësohet edhe emri i personit që do të kryejë ekspertizën.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Metush Biraj, duke thënë se pa marrë raportin nga Zvicra nuk kanë dalë me përfundime se a është rast i dyshimtë apo marrje e jetës së vet.

“Rasti është trajtuar qysh moti si marrje e jetës së vet, po aty është lojë fjalësh na nuk kemi kurrë far indikacioni që ka të bëjë me atë se është trajtuar si rast i dyshimtë, mirëpo tash gjatë veprimeve hetuese që i kemi marrë që dy vite aty asnjë indikacion asnjë veprim nuk e ka sjellë që kemi të bëjmë me rastin, megjithatë, përsëri për me sqaru punën me opinion e kemi dërguar rastin në trajtim në Lozanë dhe jemi duke pritur nga ta që të dalim me komunikatë se me ҫka kemi të bëjmë.

Siç mëson Express rasti është në fazë të fundit dhe pritet që shumë shpejt të përmbyllet dhe raporti të dërgohet për në Kosovë.

Reagim për këtë ndryshim të referimit kanë pasur edhe nga familja Dehari.

Familja Dehari ka dërguar një kërkesë për të gjitha provat dhe dokumentet që ka dorëzuar në Zvicër prokuroria.

“Ne besojmë se të gjeturat nga Zvicra nuk do të duhej që të vonohen shumë nga se kanë kaluar më shumë se dy vite nga rasti i Astrit Deharit dhe rasti do të duhej edhe juridikisht të mbyllet”, ka përfunduar avokati Gashi.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u gjet pa shenja jete në qelinë e tij në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.

Baby Boo