Hashim Thaçi në Hagë: Askush s’mund ta rishkruajë historinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbërritur sot në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë për t’u intervistuar nga prokurorët. Para intervistimit Thaçi theksoi se prezenca e tij në Hagë nënkupton respekt për luftën dhe lirinë e Kosovës së pavarur.

“Sot jam këtu për të respektuar ëndrrën për të cilën kam luftuar, për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, për të drejta të barabarta, si dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e re dhe të dal fitues, për birin tim, familjen time, popullin tim dhe vendin tim – u shpreh Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Sipas Thaçit, askush nuk mund ta rishkruajë historinë, duke shtuar se ky është “çmimi për lirinë”

“Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është storie suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – deklaroi Hashim Thasçi, President i Kosovës.

Avokati mbrojtës i Thaçit është amerikani Pierre-Richard Prosper. Ai ka qenë prokuror në Tribunalin Ndërkombëtar të OKB-së për krime në Ruandë. Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura./Alsat

Baby Boo