Haradinaj thotë se AAK-së i takon presidenti ose nuk rri në Qeveri


Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se do të kushtëzojë LDK-në me pozitën e presidentit, në rast se ajo nuk do që të rrëzohet para kohe Qeveria.
Haradinaj ka paralajmëruar LDK-në se do ta rrëzojë Avdullah Hotin nga posti i të parit të qeverisë, nëse nuk e bën president.
Ai thotë se përpara janë dy zgjidhje, AAK-ja ta marrë presidentin dhe siç thotë të bëhet pjesë e vendimmarrjes ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve. Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenit në tavolinë aty ku merren vendimet”, ka deklaruar ai.

Sipas Haradinaj, LDK-ja nuk ka ambicie që ta marrë këtë post.
“LDK-ja nuk mund t’i ketë dy përgjegjësitë e para edhe kryetarin e qeverisë dhe presidentin. Edhe LDK, në fakt nuk ka shprehur ambicie. Ish- kryeministri (Isa) Mustafa nuk ka shprehur ambicie për postin e presidentit. Ai nuk është i interesuar të hapë paketën, pra që ta shkarkojë këtë qeveri, të nominojë një mandatar, të pres ato dy javët e famshme që t’i dërgojë letra Vetëvendosjes, që të bie në procedura të caktuara”, ka thënë Haradinaj, duke thënë se shpreson në mirëkuptim edhe nga PDK-ja.

“Unë jam në pozitë me të vështirë me PDK-në, sepse presidenti dikur ishte në PDK. Mirëpo, unë mendoj edhe për PDK-në, shpresoj se do ta kem mirëkuptimin edhe nga ata, sepse në këto situata të ndjeshme, nëse Aleanca duhet të jetë partner, duhet t’i jepet mundësia të ketë vendimmarrje. Përndryshe, vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën, ja do të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Haradinaj

Baby Boo